Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 27.01.2014
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë të enjte ( më 30 janar) të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit.
Pas shterimit të pikave të e përhershme të seancave të rregullta:koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët në këtë seancë do të ratifikojnë dy marrëveshje ndërkombëtare: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST, për përmirësimin e rrjetit të transmisionit.
Në të nëjtën seancë deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë shtatë projektligje të tjera: Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës, Projektligjin për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, Projektligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, Projektligjin për armë, si dhe Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Pas një debati të gjatë lidhur me njoftimin e Komisionit Ad-hoc për punën e kryer në Reformën zgjedhore, Kryesia ka kërkuar nga kryetari i këtij Komisioni që për Kuvendin të përgatisë raportin e detajuar të punës së bërë për reformën zgjedhore, duke e radhitur atë si pikë e fundit të seancës së të enjtes, e cila do të vendosë për procedim të mëtejmë të kësaj çështjeje.
Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për auditimin e raporteve financiare dhe raportit të deklarimit financiar të fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, Kryesia e ka ngarkuar Administratën e Kuvendit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme, për të bërë thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e së paku 10 auditorëve të licencuar, të cilët do të auditojnë raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike.
Në bazë të njoftimit që ka marrë Kryesia për dorëheqjen e katër anëtarëve nga Grupi Parlamentar "Ardhmëria e Përbashkët", Kryesia ka konkluduar se praktikisht nuk ekziston më ky grup parlamentar.