Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Premte, 24.01.2014
Komisioni për Punë të Jashtme në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi i Raportin e punës për vitin 2013. Komisioni ka vlerësuar se puna e komisionit ka qenë e frytshme. Ai ka mbajtur 21 mbledhje të rregullta, ka organizuar tryeza pune, ka përgatitur raporte me rekomandime ,si dhe ka mbikëqyrur Projektligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Anëtarët e Komisionit kanë pritur anëtarë të komisioneve homologe parlamentare të vendeve të tjera dhe në cilësi të ndryshme kanë vizituar vende të tjera dhe kanë marrë pjesë në takime të ndryshme ndërkombëtare. Anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar se ka pasur tendenca të shprehura hapur të mekanizmave të politikës së jashtme në Kosovë që ta margjinalizojnë sa më shumë Komisionin për Punë të Jashtme, madje edhe për çështje që janë në kompetencë ekskluzive të tij.
Në po këtë mbledhje, ndërkaq, Komisioni ka shqyrtuar dhe e ka miratuar edhe planin dhe programin e punës për vitin 2014. Aty përfshihet roli i Komisionit në politikën e jashtme të Kosovës; promovimi i diplomacisë parlamentare; ratifikimi në bllok ose ndaras të traktateve ekzistuese, të cilat Kosova dëshiron t'i nënshkruajë; përcjellja e negociatave të udhëhequra nga Qeveria për bashkëpjesëmarrje të saj në traktatet e reja, si dhe nisja e debatin për ratifikimin e tyre; mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve për punë të jashtme dhe për imunitetet diplomatike; mbikëqyrja e veprimeve të Qeverisë në planin e politikës së jashtme; shoqërimi i ministrit të Punëve Jashtme në takime të caktuara, të rëndësishme; bashkëpunimi me komisionet homologe të parlamenteve të vendeve të tjera; shqyrtimi i projektligjeve të propozuara nga MPJ; shqyrtimi i projektbuxhetit dhe rishikimin e buxhetit të MPJ-së, duke i rekomanduar Komisionit për Buxhet ta miratojë atë, etj.
Në planin dhe programin e Komisionit për 2014 parashihet të ftohen për të raportuar ministri i Jashtëm, Hoxhaj ( tri herë), ministri për Diasporën, Makolli (dy herë) dhe zv.kryeministri Pacolli ( një herë).
Anëtarët e Komisionit janë pajtuar që brenda dy muajve të ardhshëm të ftohet për vizitë zyrtare Komisioni homolog i Kuvendit të Shqipërisë dhe të vihen kontakte me kryetarin e Komisionit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian për një vizitë zyrtare në Bruksel.