Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit

E Enjte, 23.01.2014




Kuvendi i Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë plenare të sesionit pranveror. Në këtë mbledhje të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti), deputetët zhvilluan dy debate parlamentare: debat parlamentar për procesin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës dhe debat parlamentar për procesin e privatizimit të Fabrikës për Prodhimin e Gypave në Ferizaj.

Sikurse në praktikën e deritashme edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Me këtë rast u ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh nga deputetët, ndërsa pyetjeve parlamentare u janë përgjigjur ministrat e kabinetit qeveritar: Memli Krasniqi, Ferid Agani dhe Mahir Yagcilar.

Pas kësaj mbledhja vazhdoi me debatin për procesin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës, i cili është iniciuar nga Grupi Parlamentar i VV-së. Në emër të këtij grupi foli deputeti, Visar Ymeri. Ai në fillim të fjalës së tij tha se mënyra e privatizimit të kësaj fabrike, është shënjuesi më i mirë i procesit të privatizimit dhe zhvillimit ekonomik në vend. Më pas ai shtoi se blerësi i kësaj fabrike nuk ka përmbushur obligimet e kontratës sipas spin-oof-it special, duke mos përmbushur po ashtu edhe obligimet ndaj punëtorëve. Në vijim të fjalës së tij, ai kujtoi se Fabrika e Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës, dikur ishte prodhuesi më i madh i amortizatorëve të ndryshëm në rajon dhe kishte mbi 900 punëtorë. Në fund të fjalës së tij, Ymeri bëri thirrje për miratimin e rekomandimeve të këtij Grupi Parlamentar, ku një ndër to ishte edhe suspendimi i vendimit të AKP-së për privatizimin e kësaj ndërmarrje.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së foli deputeti Zenun Pajaziti, i cili procesin e privatizimit e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa bëri thirrje për angazhimin e të gjithëve në mbarëvajtjen sa më të mirë të tij. Ai po ashtu është angazhuar që parregullësit e shënuara gjatë privatizimit të adresohen në organet kompetente për hetimin e rasteve.

Ndërkaq, qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së e paraqiti deputeti, Arben Gashi. Ai pasi kritikoi procesin e privatizimit, foli për rekomandimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i VV-së. Sipas tij, rekomandimet e propozuara kalojnë kompetencat e Kuvendit, andaj propozoi që procesi i privatizimit të auditohet nga Auditori i Përgjithshëm. Ngjashëm me të është shprehur edhe kryetari i Grupit Parlamenatr të AAK-së, Ardian Gjini. Ai tërhoqi vëmendjen në atë se Kuvendi nuk mund të marrë vendime që u përkasin gjykatave. Apel për një proces të ligjshëm në interes të vendit ka bërë edhe Myzejene Selmani, kryetare e Grupit Parlamentar të KKR-së. Në vijim të debatit, foli edhe kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi. Ai tha se procesi i privatizimit nuk ka përmbushur pritjet e qytetarëve për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ndërsa debatet lidhur me privatizimin, tha Krasniqi, nuk duhet të frikësojnë investitorët e jashtëm, sepse qëllimi i tyre është që procesi të ndodhë në harmoni me ligjet në fuqi. Lidhur me këtë çështje opinionet e veta i paraqitën edhe disa deputetë. Deputeti, Ramiz Lladrovci, ngriti nevojën e ngritjes së një Komisioni Hetimor, në mënyrë që procesi të hetohet që nga koha e AKM-së deri te privatizimet që më vonë i ka bërë AKP-ja. Ai po ashtu është angazhuar për hetimin dhe prejardhjen e pasurisë së disa blerësve të ndërmarrjeve. Se disa nga blerësit kanë hyrë në procesin e privatizimit, pasuria e të cilëve ka prejardhje të dyshimtë, ishte i mendimit edhe deputeti, Armend Zemaj. Ndërsa deputeti, Albin Kurti, paralajmëroi debat parlamentar për tërë procesin e privatizimit në Kosovë. Ai në fjalën e tij procesin e vlerësoi si të kriminalizuar dhe si të tillë të toleruar nga Qeveria. Se procesin e kanë përcjellë parregullsi të shumta, ishte i mendimit edhe deputeti Fatmir Limaj. Duke bërë thirrje për formimin e një Komisioni Hetimor, Limaj u shpreh: "Jam i befasuar se si Kuvendi nuk përdor mekanizmin më të fuqishëm të tij, e ai është Komisionin Hetimor ". Në debat u angazhuan edhe deputetët: Faton Topalli, Jeton Sfirca, Burim Ramadani, Ramiz Kelmendi, Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi e të tjerë, të cilët kanë kritikuar ashpër procesin e privatizimit, jo vetëm të Fabrikës së Amortizatorëve. Pas mbarimit të diskutimeve, iniciuesi i debatit, deputeti Visar Ymeri, lexoi rekomandimet (tre sosh) dhe kërkoi që të hedhen në votim një.

Pas votimit të rekomandimeve, rezultoi se dy nga gjithsejtë tri rekomandime të kenë marrë votat e mjaftueshme për miratim.

Mbledhja vazhdoi me debatin parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të Fabrikës për Prodhimin e Gypave në Ferizaj.

Debati u zhvillua sipas kërkesës së deputetit të PDK-së, Elmi Reçica, i mbështetur edhe nga deputetë të tjerë. Duke folur në cilësin e iniciuesit të debatit dhe të Grupit Parlamentar të PDK-së, Reçica në mënyrë kronologjike njoftoi për rrjedhën e këtij problemi, me të cilin janë ballafaquar punëtorët e kësaj fabrike. Ai fillimisht sqaroi nevojën e debatit, në mënyrë që të ndikohet në realizimin e së drejtës për 912 punëtorët e Fabrikës për Prodhimin e Gypave në Ferizaj. E drejta për kompensimin e punëtorëve të kësaj ish- ndërmarrjeje, është konfirmuar nga të gjitha instancat e gjykatave në Kosovë, tha Reçica. Shqetësimin për mosekzekutimin e vendimit të gjykatave, e ka shfaqur edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, përkujtoi ai me këtë rast. Në vijim, ai vuri në pah radhazi vendimet e të gjitha gjykatave, të cilat kanë vendosur në favor të punëtorëve. Sipas këtyre vendimeve, sqaroi ai, Fabrika për Prodhimin e Gypave në Ferizaj, përkatësisht AKP-ja, obligohet ndaj punëtorëve në shumën prej më se 25 milionë euro. Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, foli shefi i këtij grupi, Ismet Beqiri. Ai me këtë rast përkujtoi debatin e iniciuar prej tyre, të mbajtur më 21 shkurt të vitit të kaluar në Kuvend. Lidhur me këtë, tha ai, Kuvendi, ka zhvilluar debat parlamentar, dhe me atë rast Kuvendi ka miratuar rekomandimet të cilat obligojnë Qeverinë dhe AKP-në që të gjejnë mjete për kompensimin e mjeteve për punëtorët e kësaj ndërmarrje. Duke paralajmëruar braktisjen e sallës nëse vijon debati, Beqiri edhe një herë kërkoi që të realizohen rekomandimet e Kuvendit nga mbledhja shkurtit të vitit të kaluar, ndërsa debatin e sotëm e vlerësoi të padobishëm. Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Visar Ymeri. Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ndërkaq, u shpreh se ajo që Kuvendi mund dhe duhet të bëjë sot është: rikonfirmimi i Rezolutës së Kuvendit, të nxjerrë në mbledhje plenare më 21 shkurt 2013. Në favor të zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe rezolutave të Kuvendit është shprehur edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani. Për zbatimin e Rezolutës së Kuvendit nga mbledhja plenare e shkurtit të vitit të kaluar, u shprehën edhe deputetët: Lumnie Morina, Nijazi Idrizi, Ahmet Isufi dhe Bekim Haxhiu.

Pas debatit lidhur me këtë, Kuvendi edhe një herë rikonfirmoi vendimin e marrë në mbledhjen plenare të datës 21 shkurt 2013, duke kërkuar po ashtu implementimin e mënjëhershëm të tij.

Pas kësaj, është vazhduar me Raportin e Qeverisë së Kosovës për ecurinë e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), të cilin në emër të Qeverisë e ka paraqitur ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku. Ajo fillimisht tha se filllmi i bisedimeve me BE-në është historik për Kosovën. Kjo marrëveshje, tha në vijim ajo, është marrëveshja e parë kontraktuale që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE. Qëllimi marrëveshjes me MSA-në, është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregullojë procesin e përafrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në BE. Marrëveshja do të jetë bazë ligjore për të gjithë hapat e mëvonshëm të Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit të Kosovës në BE, tha ministrja Çitaku. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli deputetja, Blerta Deliu-Kodra. Ajo përshëndeti fillimin e bisedimeve, ndërkaq, tërhoqi vëmendjen se kjo paraqet vetëm fillimin e një procesi të gjatë. Ajo kërkoi përmbushjen e të gjitha kritereve të parashtruara për realizimin e plotë të marrëveshjes me MSA-në. Në emër të LDK-së, ndërkaq, deputetja Vjosa Osmani, sikurse përfaqësuesit e Grupit Parlamenatr të VV-së, AAK-së dhe të KKR-së, kërkuan përmbushjen e të gjitha kritereve të vendosura për realizimin e plotë të marrëveshjes. Lidhur me raportin e paraqitur nga ministrja Çitaku folën edhe deputetët: Halit Krasniqi, Alma Lama, Faton Topalli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami, Visar Ymeri, Sabri Hamiti e të tjerë, të cilët kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërmbushjen e kritereve të parapara në kapitujt e marrëveshjes për MSA-në, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kritikave të ngritura gjatë debatit, iu përgjigj ministrja Çitaku, e cila sqaroi edhe për implikimet buxhetore gjatë këtij procesi. Sipas saj, implikimet buxhetore do të jenë 20 milionë euro, ndërsa sqaroi se këto mjete do të jenë të nevojshme në fund të procesit të bisedimeve. Edhe dialogu me Serbinë, përkatësisht implementimi i marrëveshjeve të dala nga ky dialog, ndërlidhen me nënshkrimin e marrëveshjes me MSA-në, tha Çitaku.

Pas kësaj, Kuvendi ka shqyrtuar edhe Raportin me Rekomandime të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportet e auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Raportin e auditimit mbi menaxhimin e mbeturinave medicinale për vitin 2012. Këtë Raport e paraqiti deputeti Ali Sadria, kryetar i Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike. Ai me këtë rast tha se komisioni ka hartuar shtatë rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë. Pas deklarimit nga ana e shefave të grupeve parlamentare, vijoi debati, ku disa nga deputetët drejtuan kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë. Këto kritika i mohoi ministri i kësaj ministrie, Ferid Agani. Më pas Raporti u hodh në votim ku mori votat e mjaftueshme për miratim.

Nga mbledhja e rregull e KuvenditNga mbledhja e rregull e KuvenditNga mbledhja e rregull e KuvenditNga mbledhja e rregull e Kuvendit