Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 22.01.2014




Projektligji nr. 04/L-236/1 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të auditimit të Republikës së Kosovës, ishte temë diskutimi në dëgjimin publik të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Me këtë rast, kryesuesi i grupit të punës për shqyrtimin e këtij projektligji, nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci, sqaroi fillimisht se grupi i punës është në proces të shqyrtimit dhe amendamentimit të këtij projektligji, ndërkaq shtoi se do të shqyrtohen me kujdes të gjitha propozimet që dalin gjatë këtij dëgjimi publik.


Lladrovci theksoi faktin se ky projektligj përbëhet nga 32 nene dhe rregullon organizimin, veprimtarinë dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare, si dhe përcakton fushëveprimin për auditimin e jashtëm të fondeve publike, ekzekutimin e buxhetit, etj. Ai tha se Komisioni i ka rekomanduar Komisionit për Buxhet dhe Financa që ta përfshijë në buxhet edhe një shumë për implementimin e këtij projektligji.


Zv/ministri i Financave, Naim Fetahu, tha se ky projektligj rregullon funksionimin e auditorit të përgjithshëm dhe se Ministria e Financave ka hartuar një projektligj tërësisht të ri që do të plotësojë të gjitha kriteret. "Ky projektligj përcakton fushëveprimin për auditimin e jashtëm të fondeve publike, ekzekutimin e buxhetit, përdorimin dhe qeverisjen e burimeve publike, si dhe rregullon organizimin dhe kompetencat e ZAP-it", tha zv.ministri Fetahu, duke shtuar se përmes këtij ligji Auditorit të Përgjithshëm i sigurohet një pavarësi e lartë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të kësaj fushe.


Tutje, ai sqaroi se përmes këtij ligji është rregulluar edhe mënyra e bashkëpunimit të ZAP-it me të gjitha institucionet publike, si dhe tashmë do të evitohen të gjitha paqartësitë ekzistuese sa i përket auditimit.
Ndërkaq, Auditori Gjeneral, Lars Lage Oloffsson, foli për rëndësinë e pavarësisë së auditorit, dhe shtroi një sërë çështjesh që duhet precizuar në këtë ligj. Ai foli për kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm sa i përket emërimit dhe menaxhmentit dhe se cilat duhet të jenë kriteret për ta bërë këtë në mënyrë sa më të drejtë.
Anëtarja e Komisionit. Valbona Dibra, pasi ngriti disa çështje në nene të caktuara të këtij ligji, shprehu edhe shqetësimin rreth auditimit të komunave. Ajo tha se do të ishte më mirë që ZAP-i të ketë stafin i cili do të merrej me auditimin e komunave, e jo këtë ta bëjë përmes kompanive private.


Përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerësuan se auditimi i përgjithshëm në komuna dhe auditimi nga kompanitë private nuk kanë qenë në përputhje me njëra tjetrën. "Besojmë se do të ketë auditim direkt nga ZAP-i, e jo përmes kompanive private", theksuan edhe përfaqësues AKK-së.
Ndërsa, anëtari i komisionit, Adem Grabovci, tha se deputetët nuk guxojnë të lejojnë që të cenohet pavarësia e Auditorit të Përgjithshëm. "Auditori i Përgjithshëm duhet të jetë i pavarur në vlerësimet dhe punët e veta", tha Grabovci.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike