Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 22.01.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi tri projektligje dhe disa çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KfW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSST, për përmirësimin e rrjetit të transmisionit, të cilin e prezantoi zv/ministri i Financave, Naim Fetahu.

Duke e arsyetuar marrëveshjen, zv/ministri Fetahu tha se ajo është lidhur në kuadër të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në bazë të të cilës Qeveria e Kosovës do të huazojë nga KfW-ja 20.5 milionë euro dhe do të pranojë nga Komisioni Evropian 3 milionë euro kontribut financiar. Këto mjete, sipas Fetahut, qeveria do t'i nënhuazojë për KOST-in.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin e tij.

Në vazhdim, zv/ministri Fetahu paraqiti edhe Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, i cili, sipas tij, është hartuar me qëllim të rritjes së cilësisë së inspektimit dhe kontrollit të veprimtarisë Doganave të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

"Ky projektligj përcakton fushëveprimin dhe parimet e këtij inspektorati, rregullon statusin e tij, përcakton rolin e Ministrisë së Financave në raport me inspektoratin, rregullon mënyrën e organizimit dhe funksionimit të inspektoratit etj. Në aspektin hetimor, projektligji përcakton kompetencat hetimore dhe inspektuese të Inspektoratit të Doganave dhe ATK-së, si dhe procedurat që duhet të respektohen gjatë zhvillimit të hetimeve dhe inspektimeve", theksoi ndër të tjera zv/ministri i Financave.

Komisioni i dha përkrahje projektligjit dhe e procedoi tutje për miratim në parim në Kuvend.
U përkrah, gjithashtu, edhe Projektligji për kemikate, me amendamentet e komisionit funksional, me vlerësimin se ato nuk përmbajnë implikime buxhetore shtesë.

Sa i përket kërkesës së Komisionit për Legjislacion për vlerësimin e kostos financiare të Projektligjit për deputetë, komisioni nxori përfundimin që Komisioni për Legjislacion, si propozues i projektligjit, të kërkojë nga Drejtoria për Buxhet dhe Pagesa e Administratës së Kuvendit të hartojë Deklaratën financiare për ndikimin buxhetor të Projektligjit. Komisioni për Buxhet dhe Financa, ndërkaq, shqyrton projektligjet të cilat e kanë të bashkangjitur deklaratën e ndikimit buxhetor dhe në bazë të nenit 57 të Rregullores së Kuvendit raporton lidhur implikimet buxhetore të projektligjit.

Në këtë mbledhje, u përkrah Raporti vjetor i punës së komisionit për vitin 2013, të cilin para anëtarëve e paraqiti kryetarja Safete Hadërgjonaj.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa