Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti të nominuarin për kryesimin e OSBE-së, Grard Stoudmann
E Mërkure, 22.01.2014
Me rastin e kryesimit të radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 2014 nga ana e Zvicrës, kryeparlamentari Krasniqi ka pritur sot të nominuarin për kryesimin e OSBE-së, Grard Stoudmann, i cili nga Këshilli Federal është propozuar edhe si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.
Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme ne Kosovë, për strategjinë zvicerane me rastin e kryesimit të radhës së OSBE-së gjatë vitit 2014, si dhe për aktivitetet e mundshme të kësaj organizate gjatë këtij viti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka vlerësuar punën e OSBE-së në Kosovë, marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të ndërsjellë, i cili ka vend të thellohet në shumë fusha. Ai ka vlerësuar rolin që ka pasur OSBE-ja gjatë viteve të shkuara për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe sidomos mbështetjen që ka dhënë ajo për zgjedhjet e sivjetme lokale në pjesën veriore të vendit. Duke shpresuar për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, Krasniqi ka kërkuar që Kosova, së paku, të jetë vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
I nominuari zviceran për kryesimin e OSBE-së, Grard Stoudmann, ka theksuar se gjatë kryesimit të tij do të vazhdohet me mbështetjen e Kosovës, përfshirë edhe në procesin bisedimeve me Serbinë, duke premtuar se bashkëpunimi i suksesshëm me Kosovën, pos në procesin e demokratizimit dhe të mbajtjes së zgjedhjeve, do të zgjerohet edhe në konsolidimin e pushtetit lokal, sidomos në veri të Kosovës ,në mbështetjen e gjyqësorit, ruajtjen e ambientit etj. Duke pohuar faktin se Zvicra nuk është neutrale ndaj statusit të Kosovës, ai ka premtuar se do të kërkojë mundësi të pranisë së Kosovës në takime të OSB E-së, por sa i takon statusit të vëzhgueses, ka theksuar vështirësitë në procesin e vendimmarrjes së kësaj organizate 57 anëtarshe.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se krijimi sa m ë parë i kushteve për largimin e OSBE-së nga Kosova, do të jetë dëshmia më e fuqishme se vendi po i çon para proceset e domosdoshme demokratike.
�