Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi dënon vrasjen këshilltarit komunal
E Enjte, 16.01.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, dënon ashpër vrasjen e këshilltarit në Komunën e Mitrovicës Veriore, Dimitrije Janiçijeviq.
Kryeparlamentari Krasniqi vlerëson se ky akt është tregues se grupet e krimit që veprojnë ende në veri të vendit, synojnë destabilizimin dhe krijimin e një imazhi të keq për Republikën e Kosovës.
"Aktet e tilla terroriste, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve dhe pengimin e krijimit të institucioneve legjitime, të dala nga vota e qytetarëve, janë të papranueshme dhe të dënueshme", thekson kryetari Krasniqi, ndërsa kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për zbardhjen e rastit, kapjen e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara organeve të drejtësisë.