Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli
E Premte, 10.01.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim znj. Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Duke ia uruar detyrën e ministres, kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, theksoi se në lëmin e formimit të institucioneve Kosova mund të marrë përvoja të çmueshme nga Shqipëria."Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos ndërmjet parlamenteve, qeverive e ministrive përkatëse po ecën një rruge shumë të mirë. Synimi ynë i përbashkët duhet të jetë edhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik, drejt krijimit të një tregu të përbashkët, pa pengesa", theksoi kreu i legjislativit të vendit Krasniqi.
Në fjalën e saj, znj. Mimi Kodheli e vlerësoi nismën për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila si tha ajo, do të konkretizohet me arritjen e disa marrëveshjeve konkrete në lëmenj të ndryshëm ndërmjet dy shteteve. Synim parësor sigurisht se do të jetë edhe heqja e të gjitha pengesave në këmbimet e gjithmbarshme ndërmjet dy shteteve. Kjo tregon se mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren nuk do të jetë vetëm një akt simbolik, pohoi znj. Kodheli.