Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 30.12.2013




Me mbledhjen e sotme të Kryesisë, e fundit për këtë vit, Kuvendi Republikës së Kosovës përmbyll punimet e Sesionit vjeshtor për vitin 2013. Kështu është vendosur në takimin e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.

Kryeparlamentari Krasniqi me këtë rast ka paraqitur një ekspoze për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij viti, të cilën e ka vlerësuar të suksesshme. Ai, ndërkaq, ka prezantuar fakte për aktivitetet e zhvilluara në përmbushjen rolit legjislativ të Kuvendit, si dhe për rolin përfaqësues dhe mbikëqyrës ndaj ekzekutivit të vendit.

"Kryesia e Kuvendit, në kuadër të kompetencave, në bazë të nenit 67 të Kushtetutës së Kosovës dhe të nenit 15 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2013, ka mbajtur 50 mbledhje, me pjesëmarrje dhe të kryetareve te grupeve parlamentare, në të cilat ka përgatitur agjendat për rendin e ditës për 54 seanca plenare (prej tyre 5 seanca solemne, 5 përkujtimore dhe 3 të jashtëzakonshme), ka miratuar Projekt-buxhetin e Kuvendit të Kosovës, ka miratuar 182 vendime, ka nxjerrë 77 përfundime, si dhe është marrë me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, organeve të tij dhe të Administratës së Kuvendit", ka theksuar Krasniqi. Ai ka theksuar se brenda këtij viti nga 111 projektligje të parapara me Programin legjislativ (40 projektligje janë bartura nga viti 2012), nga Qeveria e Kosovës janë proceduar 56 projektligje, nga komisionet parlamentare janë proceduar dy projektligje dhe po aq nga deputetë të veçantë. Ligje të miratuara (bashkë me projektligjet të bartura nga viti 2012) janë gjithsej 61. Pesëmbëdhjetë projektligje gjenden në procedurë shqyrtimi në komisione parlamentare , kurse 11projektligje të pamiratuara i janë kthyer Qeverisë për ripunim, ka thënë kreu i Kuvendit, duke tërhequr vëmendjen se ekzekutivi i vendit, ndërkaq, ka mbetur pa i proceduar në Kuvend 45 projektligje të parapara në agjendën e tij legjislative.

Brenda kësaj kohe Kuvendi ka ratifikuar gjashtë marrëveshje ndërkombëtare, dhe ka miratuar tri rezoluta.

Nga aktiviteti mbikëqyrës i Kuvendit Krasniqi ka përmendur: 190 pyetjet parlamentare, tri interpelanca, 18 debate parlamentare, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të 13 ligjeve.

Bazuar në aktivitetin përmbledhës të punës së komisioneve parlamentare për vitin 2013, kryeparlamentari Krasniqi ka përmendur 405 mbledhje të komisioneve, 78 projektligje të shqyrtuara,në parim, 1129 amendamente të propozuara, 61 raporte të hartuara me rekomandime për projektligje (në cilësi të komisionit funksional), si dhe 244 raporte të hartuara me rekomandime për projektligje (në cilësi të komisionit të përhershëm). Komisionet kanë mbikëqyrur zbatimin e 13 ligjeve, kanë shqyrtuar raporte vjetore të 30 agjencive të pavarura, 42 raporteve vjetore të audituara, si dhe kanë mbajtur 58 dëgjime publike. Komisionet kanë realizuar 36 vizita jashtë vendit, si dhe 64 brenda vendit.

Duke iu uruar nënkryetarëve të Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare festat e fundvitit, i ka përkujtuar ata se Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, 2014.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës