Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mbajti takimin e fundvitit me media

E Premte, 27.12.2013




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës takimin e fundvitit me media, në të cilin merrnin pjesë kryeredaktorë, gazetarë, dhe punonjësi të tjerë medial, të akredituar në Kuvend. Duk e iu drejtuar të pranishmëve kryekuvendari Krasniqi theksoi se me këtë rast do të paraqesë një informacion përmbledhës të aktiviteteve vjetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2013.

Edhe këtë vit, theksoi kryekuvendari Krasniqi, Kuvendi ka vazhduar ta forcojë rolin e tij ligjvënës, përfaqësues dhe atë të kontrollit, e ka rritur transparencën e komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet tjera dhe shoqërinë civile.

Në ushtrim të funksioneve të tij, Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë vitit 2013 ka mbajtur 54 seanca plenare, prej tyre, pesë seanca solemne, pesë seanca përkujtimore dhe tri seanca të jashtëzakonshme. Kryesia e Kuvendit, ndërkaq, në kuadër të kompetencave të saj, në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2013, ka mbajtur 50 mbledhje, me pjesëmarrje edhe të kryetareve të grupeve parlamentare, ka miratuar 182 vendime dhe ka nxjerrë 77 përfundime.

Bazuar në Programin e Punës për vitin 2013, Kuvendi ka miratuar 61 ligje, 15 projektligje janë në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, ndërkaq 11 projektligje i janë kthyer Qeverisë për ripunim.

Janë ratifikuar me ligj gjashtë marrëveshje ndërkombëtare, janë nxjerrë tri rezoluta dhe 12 dokumente të tjera.

Në proces të ngritjes së rolit të kontrollit mbi organet që ka zgjedhur, Kuvendi në frymën e fjalës së lirë dhe të demokracisë parlamentare, ka organizuar debate të hapura, për shumë çështje dhe tema, që kanë të bëjnë sidomos me qeverinë. Kështu, gjatë kësaj kohe janë parashtruar 190 pyetje parlamentare për kryeministrin dhe ministrat e kabinetit qeveritar, prej te cilave 56 pyetje parlamentare nuk kanë marrë përgjigje dhe janë publikuar në revistën e Kuvendit. Janë zhvilluar tri interpelanca, tetëmbëdhjetë debate parlamentare dhe janë hartuar 13 raporte të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Duke bërë fjalë për punën e komisioneve parlamentare, kryekuvendari Krasniqi tha se ato kanë mbajtur 405 mbledhje, 58 dëgjime publike, kanë hartuar dy projektligje, kanë propozuar 1129 amendamente dhe kanë shqyrtuar 20 peticione.

Po kështu, në fushën e diplomacisë parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar një aktivitet mjaft të frytshëm. Kryetari i Kuvendit, komisionet parlamentare dhe deputetët, kanë zhvilluar vizita në vende të ndryshme, si dhe janë pritur nga delegacione të shumta ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit ka marrë pjesë në Samitin e Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci, në Stamboll, gjithashtu në Konferencën e gjashtë të Kryetarëve të
Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Budapest, si dhe ka vizituar Kuvajtin dhe Jordaninë. Ndërkaq, ka pritur 34 delegacione nga vende të ndryshme.

Edhe në këtë vit ka vazhduar bashkëpunimi i ngushtë me Parlamentin Evropian, ndërsa në funksion të këtij bashkëpunimi, takimi Ndërparlamentar: Parlamenti Evropian-Kosova, është mbajtur në Kuvendin e Kosovës dhe në përmbyllje të tij është nxjerrë një deklaratë e përbashkët.

E gjithë puna e Kuvendit është pasqyruar plotësisht, nëpërmjet Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun: që nga faqja në internet, publikimet, kumtesat, konferencat për shtyp, transmetimet e drejtpërdrejta, komunikimet e hapura me publikun etj.

Ndërkaq, shoqëria civile ka marrë pjesë në procesin ligjor dhe në të gjitha dëgjimet publike për çështje më rëndësi të veçantë, të organizuara nga komisionet parlamentare.

Në funksion të rritjes së transparencës për qytetarët, Kuvendi ka krijuar një sërë lehtësirash për qasjen e tyre në punën e legjislativit, duke e pasuruar faqen e internetit me materiale shtesë; ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe ka hapur dyert për grupe të ndryshme qytetarësh.

Administrata i ka ofruar mbështetje profesionale dhe administrative-teknike Kuvendit dhe organeve të tij, Kryesisë, komisioneve parlamentare dhe grupeve parlamentare, me qëllim të realizimit të Programit të Punës.

Gjithashtu, në funksion të rritjes së kapaciteteve për të ndërtuar një administratë më profesionale dhe efektive parlamentare, si dhe për të përmirësuar kapacitetet e Kuvendit të Kosovës në lidhje me përafrimin me BE-në dhe zbatimin e praktikave më të mira të saj, është zhvilluar Projekti i Binjakëzimit, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa është zbatuar nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë. Mbështetur edhe nga ky kontribut administrata e Kuvendit në vitin e ardhshëm do të hyjë më e përgatitur dhe e aftësuar për të përmbushur obligimet e saj, duke ofruar mbështetje profesionale dhe teknike për realizimin e programit të punës së Kuvendit për vitin 2014.

Kur është fjala për bashkëpunimin e Kuvendit me institucione ndërkombëtarë, kreu i legjislativit të vendit Krasniqi, tha se për përmbushjen e funksioneve të tij, edhe gjatë këtij viti, Kuvendi është ndihmuar nga donatorë dhe organizata zbatuese, si: USAID, Komisioni Evropian, UNDP, OSBE, NDI, GIZ, si dhe parlamente të vendeve mike. Në përfundim të fjalës së tij kryekuvendari Krasniqi tha se që nga fillimi i vitit 2013 e në vazhdimësi është realizuar një proces transparent i menaxhimit të buxhetit të vitit 2013, si dhe proces transparent i planifikimit të buxhetit për vitin 2014-2016.

Kryekuvendari Krasniqi në fjalën e tij falënderoi mediat për bashkëpunimin dhe për pasqyrimin korrekt që kanë bërë për aktivitetet e Kuvendit gjatë gjithë këtij viti. Kryetari i Kuvendit u përgjigj edhe në disa pyetje të gazetarëve.

Kryeparlamentari Krasniqi mbajti  takimin e fundvitit me mediaKryeparlamentari Krasniqi mbajti  takimin e fundvitit me media