Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

E Enjte, 26.12.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës , në seancën e sotme të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, shqyrtoi për herë të dytë dhe e miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Në fillim të kësaj seance deputetët kanë ngritur deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe kanë shtruar pyetje parlamentare, të cilave u janë përgjigjur ministrat e Qeverisë së Kosovës: Nenad Rashiq, Enver Hoxhaj, Bajram Rexhepi dhe Ferid Agani.

Para se të fillonte shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin, ministri i Financave , ministri i Financave, Besim Beqaj, në emër të Qeverisë së Kosovës e ka tërhequr amendamentin 8, nëpërmjet të cilit synohej që bashkë me buxhetin të kalonte edhe Privatizimi i 75 për qind të akcioneve të PTK-së, që kishte qenë temë e debateve të nxehta të subjekteve politike nëpër media, miratimi eventual i të cilit do të shkaktonte braktisjen e seancës nga më shumë se një grupi parlamentar. Këtë veprim të Qeverisë e kanë mirëpritur deputetët e grupeve parlamentare të LDK-së dhe të Vetëvendosjes. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, ka paraqitur mocionin për radhitjen në këtë seancë të Raportit të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 për qind të akcioneve të PTK-së, si dhe për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë Privatizim. Me gjithë kundërshtimin e tij nga tri grupet parlamentare opozitare:LDK, VV dhe AKR, mocioni është miratuar me shumicë votash të deputetëve të pranishëm.

Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, e ka paraqitur kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila ka pasqyruar punën e madhe që ka bërë komisioni për ta amendamentuar Projektligjin më të rëndësishëm të vendit. Ajo ka pohuar se Komisioni ka shqyrtuar 52 kërkesa buxhetore nga ministri të ndryshme, agjenci të pavarura, si dhe mekanizma të tjerë të buxhetuar, duke u sugjeruar deputetëve ta miratojnë këtë Buxhet. Pastaj ka filluar shqyrtimi një për një i amendamenteve të propozuara nga ana e komisionit funksioanl, i amendamenteve të propozuara nga komisionet e tjera parlamentare, si dhe ato të deputetëve të veçantë.

Në përfundim është miratuar Projektligj për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, bashkë me amendamentet që kanë marrë mbështetjen e deputetëve.

Në vazhdim të seancës, pas dite, deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Raportin me rekomandime e ka paraqitur deputeti Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor. Me shumicë votash të deputetëve është miratuar Projektligj për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Raportin me rekomandime para shqyrtimit të dytë i Projektligjit për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë, e ka paraqitur kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Edhe ky projektligj është miratuar nga deputetët.

Pasi e kanë shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa (të cilin e ka paraqitur po ashtu znj. Hadargjonaj), lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, deputetët kanë miratuar amendament e propozuara.

Me një votë formale, deputetët i kanë dhënë mbështetje propozimit të GP të LDK-së për ndërrimin e anëtarëve në Komisionin për Integrime Evropiane (deputetja Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Komisionit, në vend të ish-deputetit Lutfi Haziri, kurse Alma Lame është zgjedhur anëtare e Komisionit).

Për mungesë kuorumi, nuk ka qenë e mundur të shqyrtoheshin dy pikat e propozuara nga shefi i GP të PDK-së lidhur me privatizimin e PTK-së.

Nga seanca plenare e Kuvendit të KosovësNga seanca plenare e Kuvendit të KosovësNga seanca plenare e Kuvendit të KosovësNga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës