Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Enjte, 26.12.2013
Ka vazhduar sot punimet mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar.
Kuvendi miratoi rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013, të cilat, në cilësi të sponsoruesit të debatit, i lexoi kryetari i GP të AAK-së, Ardian Gjini. Diskutimet përkitazi me këtë pikë, ishin shterur në vazhdimin e fundit të mbledhjes.
U formua, gjithashtu, Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Rekomandimi i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike dhe Media për shkarkimin e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ishte temë e një diskutimi më të gjerë nga deputetët e Kuvendit. Fillimisht, zëvendëskryetari i këtij komisioni, Enis Kervan, lexoi rekomandimin e komisionit, me të cilin i rekomandohet Kuvendit që të shkarkohen kryetari i KPM-së, Shefki Ukaj dhe anëtarja Vesna Jovanoviq, për shkak të shkeljes së ligjit.
Lidhur me këtë, debati u zhvillua ndërmjet deputetëve të GP të LDK-së, të cilët kërkuan që kjo çështje t'i kthehet sërish komisionit, por edhe t'i delegohet Komisionit për Legjislacion, dhe deputetëve të grupeve të tjera, të cilët kërkuan miratimin e rekomandimit.
Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi rekomandimin e komisionit dhe rrjedhimisht shkarkoi nga detyra kryetarin e KPM-së, Ukaj dhe anëtaren Jovanoviq.