Lajmet e fundit
GGD-ja organizoi takimin Gratë deputete 2001-2013
E Hënë, 23.12.2013
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës organizoi sot në hollin e Kuvendit takimin:"Gratë deputete 2001-2013", tema bosht të të cilit ishin historiku i zhvillimit të këtij grupi, roli i gruas në Parlamentin e Kosovës, si dhe Strategjia e GGD-ës. Me këtë rast grave deputete iu drejtua me një fjalë rasti, kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi. Duke përshëndetur gratë deputete dhe pjesëmarrësit tjerë , kryekuvendari Krasniqi në fillim përgëzoi gratë deputete të të gjitha legjislaturave. Ndërkaq, ai në vijim theksoi:" Jam i vetëdijshëm se jo vetëm gruaja, por e gjithë shoqëria jonë në Kosovë ka nevojë për një emancipim të ri. Jam i bindur se gratë deputete, gratë e arsimuara të lëmenjve të ndryshëm, të artit,shkencës dhe kulturës, ato që kanë fatin të punojnë në arsim me gjeneratat e reja dhe të gjithë së bashku, e kemi një obligim të shenjtë për të dhënë kontributin tonë në edukimin e brezave, në mënyrë që të eliminohen të gjitha barrierat që i ka vendosur e kaluara mes gjinive, por edhe në mes nacionaliteteve të ndryshme në hapësirën tonë jetësore. Natyrisht, përkushtimi më i madh duhet të jetë në kuadër të Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë legjislativ i Republikës së Kosovës, por unë e përshëndes angazhimin e grave deputete, të organizuar në këtë nivel dhe i uroj për të gjitha sukseset që kanë arritur në këtë drejtim, duke u bërë edhe shembull i mirë i punës së tyre për t' u ndjekur edhe nga vende dhe parlamenteve të ndryshme".
Duke përfunduar fjalën e tij kryekuvendari Krasniqi theksoi se si kryetar i Kuvendit është përpjekur që gjatë këtyre viteve Grupit të Grave deputete t'u krijojë hapësirën që e meritojnë dhe t'i mbështesë me të gjitha mundësit që i ka Kuvendi i Kosovës si institucion. Ai njëherësh uroi gratë deputete të të gjitha legjislaturave dhe ato që ishin prezente në këtë takim për festat e fundvitit, duke i trimëruar për prosperitet dhe angazhimeve të mëtejme në dobi të vendit dhe shoqërisë sonë.
Grave deputete pastaj iu drejtua kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija, e cila gjerësisht foli për rrugën e formimit të Grupit të Grave Deputete. Duke rreshtuar sukseset e shumta që ka arritur ky grup, ajo përmendi veçanërisht aprovimin e Ligjit të Barazisë Gjinore, i cili u hartua nga ana e Komisionit për Barazinë Gjinore, ndërsa u miratua nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në vijim ajo foli edhe për një varg të gjatë të aktiviteteve nga më të ndryshme të këtij grupi, që bëhen për afirmimin dhe fuqizimin e pozitës së gruas në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë. Ajo i bëri edhe një prezantim strategjisë së punës së këtij grupi në të ardhmen.
Në këtë takim për kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin dhe punën e deritashme u dhanë shumë mirënjohje dhe falënderime. Mirënjohja e parë i takoi ish-sekretares së shtetit të SHBA-së, Medlin Ollbrajt, e cila personalisht ndihmoi formimin e këtij grupi të deputeteve. Në emër të z. Ollbrrajt, mirënjohjen e mori , ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Trejsi Jakobson. Ajo tha se është kënaqësi që merr këtë mirënjohje për z. Ollbrajt. Në vijim ajo tha se Kosova po arrin suksese të mëdha, ndërsa me përpjekje të përbashkëta Kosova do të zhvillohet edhe më. Mirënjohje iu nda , pas vdekjes, edhe heroinës së Kosovës, Xhevë Lladrovci.