Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 23.12.2013
për Legjislacion, kryesuar nga anëtari i komisionit, Armend Zemaj, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar.
Fillimisht kryesuesi i grupit të punës së këtij projektligji, Armend Zemaj, vlerësoi se në bazë të këtij projektligji janë zgjeruar kompetencat e Agjensisë Antikorrupsion dhe mënyra e kontrollit të deklarimit të pasurisë, që nënkupton edhe prejardhjen e pasurisë.
Sipas tij ky ligj tash ka kaluar fazën disa vjeçare dhe dilemat që kanë ekzistuar në shoqëri, ndërkaq shtoi se tash duhet të rishikohet në aspektin e implementimit dhe arritjen e parandalimit të pasurisë së paligjshme.
Zv.ministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, duke paraqitur projektligjin dhe propozim-ndryshimet e këtij ligji tha se gjatë plotësim ndryshimit të këtij ligji janë përmbushur qëllimet dhe është bërë harmonizimi i legjislacionit, ndërkaq shtoi se ka pak hapësirë për ndonjë ndërhyrje në projektligj gjatë amendamentimit. Sipas tij vepra e mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë tashmë klasifikohet si vepër penale.
Xhemajli tha se zyrtari i lartë publik që nuk e deklaron pasurinë e tij sipas kushteve të parapara me ligj do të kryejë vepër penale dhe do të përballet me sanksione shumë më të ashpra. Ai tha se pas miratimit të këtij ligji do të rritet efikasiteti i institucioneve, duke shtuar se tashmë është vendosur një standard i fuqishëm i transparencës dhe se të gjitha ndryshimet janë bërë në harmoni me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
"Kemi paraparë dispozita të reja të cilat e obligojnë AKK-në që të paraqesë kallëzim penal pranë prokurorisë në rastet kur ka fakte të mjaftueshme se është kryer vepër penale dhe se nuk është deklaruar pasuria apo është deklaruar në mënyrë të rrejshme apo të pjesshme", sqaroi zv/ministri Xhemajli duke shtuar se AKK-ja tashmë ka më shumë kompetenca dhe është e obliguar që të jetë më proaktive në kryerjen e detyrave të saj.
Qëllim primar i këtij projektligji është që të parandalohet mosdeklarimi i pasurisë dhe këtë gjë besojmë se do ta arrijmë , sikurse që gjatë vitit të kaluar mbi 99 për qind e zyrtarëve të lartë e kanë deklaruar pasurinë e tyre, tha z. Xhemajli.
Anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se në këtë projektligj më shumë ka ndryshime teknike se sa përmbajtësore.
Sipas saj pakoja kundër korrupsionit nuk bëhet me plotësime të tilla, por atëherë kur në Kuvend do të miratohet Ligji Antimafia , Ligji Kundër Korrupsionit dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
"Jemi dëshmitar të asaj që gjatë këtyre viteve të fundit është duke u rritur pasuria e zyrtarëve të lartë në mënyre enorme dhe prejardhja e së cilës assesi nuk mund të hetohet. Është e obligueshme që të deklarohet çdo cent që marrin zyrtarët e lartë", tha Haxhiu, duke përmendur faktin se meqë është shumë e vështirë për t'u ditur vlera e një dhurate, atëherë duhet të jetë obliguese që secila dhuratë të paraqitet në AKK.
Ndërkaq, përfaqësues të Agjensisë Kundër Korrupsion, theksuan se AKK-ja ka propozuar për rishikimin e këtij ligji, në mënyrë që të harmonizohet edhe me Kodin Penal, si dhe të hartohet një ligj konkret e praktik dhe të shmangen të gjitha të metat që janë evidentuar gjatë punës së tyre. Ndërkaq, theksuan se disa vërejtje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë marrë parasysh, duke paraqitur më tej edhe disa propozime për riformulime të disa neneve të caktuara.
Në vijim të këtij takimi folën edhe anëtarët e komisionit: Arsim Bajrami, Ardian Gjini e Behar Selimi.
Sipas Bajramit, vlera reale e pasurisë së paluajtshme është çështje problematike, meqë sipas tij ka lëvizje marramendëse të shifrave, duke e quajtur këtë pikë si pjesë manipulative. Ai tha se për këtë çështje duhet të ekzistojë një mekanizëm i kontrollit të pasurisë së paluajtshme dhe ky fakt sipas tij do të ishte kontribut i madh në luftën kundër korrupsionit.