Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Premte, 20.12.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të drejtuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, debatoi për Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në cilësi të kërkuesit të debatit, deputetja Donika Kadaj - Bujupi tha se në Raportin e Progresit të vitit 2013, institucioneve të Kosovës u është kërkuar që të orientojnë politikat publike në adresimin e sfidave që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të agjendës evropiane. Sipas saj, është konstatim i përgjithshëm nga raporti se Kosova ende po ballafaqohet me pamundësinë dhe paaftësinë e institucioneve të saj për të treguar rezultate edhe në ushtrimin e funksioneve themelore të shtetit.

"Në këtë kuptim, raporti e qartëson se janë pikërisht këto probleme që Kosovës i pamundësuan dhe vazhdojnë t'i pamundësojnë liberalizimin e vizave, dhe do të shtyjnë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Përfundimet që ky raport nxjerr janë shqetësuese dhe kërkojnë nga institucionet e Kosovës që sa më parë t'i adresojnë", theksoi Kadaj-Bujupi, duke përmendur nevojën e finalizimit të reformës elektorale, përmirësimin e mbikëqyrjes së Qeverisë nga Kuvendi, rezultatet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, fuqizimin e legjislacionin në këtë fushë dhe zbatimin e tij, problemet në gjyqësi, nevojën për mbështetje të EULEX-it etj.

Ministrja e Integrimeve Evropian, Vlora Çitaku, ndërkaq, në fjalën e saj para deputetëve, tha se Raporti i Progresit është një vlerësim i punës së të gjitha institucioneve të shtetit. Ajo tha se procesi i integrimit evropian është çështje komplekse dhe nuk matet me vite, por me rezultate dhe performancë.

Ministrja Çitaku tha se Raporti i Progresit 2013 nga ana e Komisionit Evropian, paraqiti gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve njëvjeçare të Republikës së Kosovës, duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore. Ky raport, sipas saj, reflekton të arriturat e institucioneve të Kosovës, por po ashtu vë në pah edhe sfidat që ato i presin në vazhdim. Ajo bëri të ditur se deri në përfundimin e këtij viti, Qeveria do të miratojë Planin e rishikuar të Veprimit për Marrëveshjen Stabilizim Asociimit, me qëllim të planifikimit të të gjitha aktiviteteve konkrete dhe afateve kohore për adresimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit.

"Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar në përmbushjen e detyrave të saja në kuadër të procesit integrues në BE. Në ketë kuadër do shtoja se progres kemi në të gjitha fushat, por ka segmente në të cilat progresi është ma i madh dhe ka fusha në të cilat ka ende punë për tu bërë.

Ne besojmë që Raporti i Progresit, gjatë 12 muajve të ardhshëm do të shërbejë si bazë për vazhdimin e zhvillimit të dialogut racional dhe konstruktiv ndërmjet akterëve të ndryshëm në shoqërinë tonë, si dhe vazhdimin e këtij konsensusi mbarë-shoqëror për ndërmarrjen e reformave të thella politike, ekonomike dhe shoqërore", u shpreh ministrja e integrimeve evropiane.

Duke adresuar disa nga të gjeturat kryesore të Raportit të Progresit, Çitaku tha se funksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë është karakterizuar me ngritje graduale të kapaciteteve në adresimin e prioriteteve të procesit të integrimit evropian, si dhe rritje të rolit në qeverisje demokratike. Kjo, sipas saj, është dëshmuar me përmbushjen e kritereve afatshkurta dhe përgatitjeve që janë bërë për nisjen e negociatave për MSA.

Sa i përket sistemit gjyqësor, ajo tha se është miratuar pakoja ligjore: Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Ligji për Avokatinë Shtetërore dhe Ligji për Procedurën Përmbaruese, ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial kanë miratuar strukturën e re të gjykatave dhe prokurorive dhe po ashtu është miratuar legjislacioni implementues sekondar.

Ministrja Çitaku foli edhe për sfidat kryesore, të identifikuara në raport, si: përmbyllja e reformës zgjedhore, përmbyllja e reformës së administratës publike dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura në fushën e rendit dhe ligjit.

Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare prezantuan qëndrimet e tyre.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetja Blerta Deliu i bëri një rezyme raportit, duke theksuar se ai ofron detaje lidhur me përparimin e gjithmbarshëm në Kosovë dhe vlerëson reformat që vendi ynë ka ndërmarrë karshi anëtarësimit në BE. Ajo tha se në këtë përmbledhje të punës së institucioneve të Kosovës, Komisioni vlerëson se gjatë 12 muajve janë bërë përparime të konsiderueshme lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës.

"Raporti vlerëson angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë, duke theksuar se Kosova ka realizuar reforma të rëndësishme në politikë, sfidë kjo e adresuar në Studimin e Fizibilitetit për Kosovën më 212", theksoi deputetja Deliu.

Ajo potencoi vlerësimet që jepen për Kuvendin, për të cilin thuhet se ka bërë hapa për përmirësimin e mbikëqyrjes së Qeverisë, si dhe ka ofruar më shumë transparencë ndaj shoqërisë civile. Ndërsa sa i përket Qeverisë, vlerësohet puna e saj në adresimin e prioriteteve lidhur me procesin e integrimit evropian.

Ajo evidentoi edhe çështjet e tjera, të potencuara në raport, që kanë të bëjnë me administratën publike, pagat e zyrtarëve të lartë, lirinë e shprehjes etj.

"Komisioni Evropian në këtë raport kërkon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, vlerëson Strategjinë Antikorrupsion dhe hetimin e disa rasteve nga Departamenti Antikorrupsion", theksoi më tej Deliu.

Deputetja Vjosa Osmani, duke paraqitur qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se ruajtja e kohezionit dhe unitetit politik në agjendën evropiane, do të jetë thelbësore dhe parakusht për të arritur suksese në këtë proces të rëndësisë nacionale. Por ky konsensus nacional, sipas saj, nuk mjafton.

"Raportet e përvitshme të progresit, përkundër asaj që listojnë të arriturat, ngecjet, sfidat e kërkesat e Komisionit Evropian në raport me Kosovën, ato vetëm se konfirmojnë një gjendje reale në terren, që institucionet e Kosovës, e veçmas qytetarët e Kosovës e shohin çdo ditë, e ndiejnë çdo ditë dhe e përjetojnë çdo ditë. Prandaj, edhe Raporti i Progresit për vitin 2013, vetëm e konfirmoi një realitet të cilin të gjithë e njohim, i cili mbi të gjitha tregon se Kosova ka edhe shumë punë për të bërë", theksoi deputetja Osmani.

Ajo shtoi se nëse krahasojmë gjetjet e Raportit të këtij viti me ato të vitit të kaluar, shihet se një sërë çështjesh kanë mbetur të paadresuara, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mungesën e reformës së administratës publike, ekonominë jokonkurruese, mungesën e lirisë së medieve dhe shqetësime të tjera.

"Megjithatë, duhet të përmendet se Raporti vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit në miratimin e ligjeve dhe bazës juridike për adresimin e çështjeve të ngritura nga Komisioni Evropian, përderisa implementimi i tyre në praktikë mbetet sfidë kryesore", u shpreh Osmani.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, duke i prezantuar qëndrimet e grupit të tij parlamentar, tha se pika qendrore politike e vlerësimit të progresit në Kosovë në këtë raport, mbeten negociatat me Serbinë. Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, sipas tij, po lidhet me atë se çfarë raporti ka Kosova me shtetin e Serbisë.

"Kjo është arsyeja e vetme pse raporti i këtij viti është më i butë në gjuhën e tij kritike ndaj punës së Qeverisë. Raportet e progresit, të viteve të kaluara, janë dukshëm më kritike dhe këtu ekziston një problem i madh, sepse BE-së po i ngutet me Serbinë dhe jo me integrimin e Kosovës. Kështu që korrupsioni në Kosovë, i cili është i hatashëm, kontrolli politik i drejtësisë, që është dramatik dhe shkeljet e ligjit, që janë përditshmëri në Kosovë, fatkeqësisht kanë mbetur nën hijen e strategjisë së integrimeve evropiane", theksoi Konjufca. Ai tha se kjo është fare e çuditshme, kur kemi parasysh se për hyrjen ne BE mbi të gjitha janë të vlerësueshme çështjet e funksionimit të brendshëm të shteteve, si: qëndrueshmëria e demokracisë, stabiliteti i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut e kështu me radhë.

"MSA-ja, mbi të gjitha është fituar, sepse kjo qeveri ka pasur fleksibilitet të madh ndaj kërkesave të Serbisë", u shpreh ai.

Në fjalën e tij, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, deputeti Ahmet Isufi tha se në të gjitha raportet e progresit për Kosovën, është potencuar se sfida kryesore për Kosovën mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Edhe në këtë raport përsëriten sfidat e njëjta, në të cilat, sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka ngecje.

Isufi tha se në raport përsëritet fakti se nuk ka kapacitete të mjaftueshme, por kjo, sipas tij, është rrjedhojë e mungesës së vullnetit politik. Ai tha se nuk është vullneti politik vetëm miratimi i ligjeve, strategjive, planeve të veprimit, krijimi i grupeve punuese, i task-forcave etj.

"Në këtë raport identifikohen si të arritura: miratimi i ligjeve, strategjive, krijimi i mekanizmave institucionalë etj., por edhe më tej ka ngecje në implementimin e tyre. Për këtë Qeveria duhet të japë llogari para Kuvendit dhe qytetarëve. Madje, nuk ka nevojë shumë të arsyetohet për Raportin e Progresit, sa ka nevojë ta ndryshojë qasjen e vet ndaj qytetarëve të Kosovës, t'u përmirësojë jetën atyre dhe të luftojë dukuritë të cilat në vazhdimësi janë kritike në raportet e progresit", u shpreh deputeti Isufi.

Në emër të Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re (KKR), kryetarja Myzejene Selmani evidentoi çështjet kryesore të potencuara në raport. Ajo tha se në raport përshkruhen raportet e Kosovës me BE-në, analizohet situata në Kosovë në aspektin politik dhe ekonomik, kapacitetet e Kosovës për implementimin e kritereve evropiane etj.

Ajo tha se raporti paraqet gjendjen faktike në Kosovë, përderisa Kosova, sipas saj, ka ecur në raport me përafrimin me BE-në. Selmani tha se sa më shumë që Kosova do t'i afrohet BE-së, aq më strikte do të jenë raportet e progresit dhe aq më të ashpra do të jetë kriteret. Sa i përket administratës publike, deputetja Selmani tha se Kosova i ka përmbush prioritetet afatshkurtra, por duhet të ketë reforma të mëtejme në këtë sektor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, sipas saj, nuk do të jetë proces i lehtë.

Deputeti Albert Kinolli, duke folur në emër të Grupit Parlamentar 6 plus, u fokusua në çështjet që adreson Raporti i Progresit lidhur me të drejtat e komuniteteve pakicë. Ai u ndal në çështjen e arsimimit të fëmijëve të këtyre komuniteteve, shërbimet shëndetësore, gjendjen ekonomiko-sociale etj., ndërsa shtroi nevojën e zbatimit të Strategjisë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

"Mbesim optimistë se kjo strategji do të gjejë zbatim të plotë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve", theksoi Kinolli.

Në emër të Grupit Parlamentar Ardhmëria e Përbashkët, deputeti Goran Marinkoviq, theksoi se në raport vërehet përparim, por evidentohen edhe probleme të theksuara sa i përket luftës kundër dukurive negative. Duke u ndalë në të drejtat e pakicave, ai shprehu brengosje në çështjen e punësimit të qytetarëve nga radhët e këtyre komuniteteve.

Debati vijoi me diskutimet e deputetëve: Arsim Bajami, Alma Lama, Albin Kurti, Ardian Gjini, Suzan Novobërdali, Vjollca Krasniqi, Zenun Pajaziti, Hamza Balje, Albulena Haxhiu, Time Kadriaj, Halit Krasniqi, Hashim Deshishku, Visar Ymeri, Kymete Bajraktari, Ramiz Lladrovci, Hykmete Bajrami, Aurora Bakalli, Teuta Haxhiu, Nazane Breca, Haki Demolli, Sadri Ferati dhe Nijazi Idrizi, të cilët identifikuan të gjeturat dhe sfidat që Komisioni Evropian i ka adresuar në raportin e tij për Kosovën.

Në fund, deputetja Kadaj, paraqiti rekomandimet, nëpërmjet të cilave i kërkohet Qeverisë që urgjentisht t'i adresojë të gjeturat e raportit, të procedojë në Kuvend, brenda një muaji, Planin e Veprimit për zbatimin e secilit rekomandim, të raportojë në Kuvend për përmbushjen e këtyre kritereve në mënyrë periodike çdo tre muaj, ndërsa deri në mars të vitit 2014 të publikojë dhe raportojë në Kuvend për përmbushjen e të gjitha kërkesave sa përket liberalizimit të vizave.

Për Kuvendin, ndërkaq, rekomandohet pavarësimi buxhetor, pavarësimi Drejtorisë së Teknologjisë Informative, miratimi i Ligjit për Kuvendin brenda një periudhe sa më të shkurtër, miratimi i Rregullores, si dhe ndërmarrja e veprimeve procedurale për ta detyruar Qeverinë që të jetë e pranishme gjatë mbajtjes së seancave plenare dhe t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Kryesuesi i mbledhjes, Haliti, theksoi se rekomandimet, në krahasim me ato të dorëzuara më parë, janë shtuar dhe rrjedhimisht, nevojitet harmonizimi i tyre ndërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare.

Në mungesë të kuorumit, seanca ndërpreu punimet, ndërsa për pikat e mbetura do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit