Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 19.12.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), shqyrtoi dy raporte vjetore dhe një propozim të qeverisë.

Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, diskutime jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat: Agim Çeku, Besim Beqaj, Ferid Agani, Fadil Ismaili, Vlora Çitaku dhe Mahir Yagcilar.

Me kërkesë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ndërkaq, u shty debati parlamentar lidhur me ecurinë e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Strategjisë për cilësinë e ajrit për vitin 2013-2022 dhe Planit të veprimit për vitin 2013-2017, para deputetëve e paraqiti zv/kryeministri Bujar Bukoshi. Ai tha se ky dokument ka dalë si kërkesë e ligjit, ndërsa siguron kornizën me të cilën do të arrihej zvogëlimi i ndotjes së ajrit, në harmoni me praktikat e Bashkimit Evropian.

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, duke e prezantuar rekomandimin e komisionit, tha se strategjia dhe plani i veprimit janë dy dokumente të veçanta, prandaj Kuvendit i rekomandohet miratimi i strategjisë, ndërsa plani i veprimit t'i kthehet qeverisë për ripunim.

Pas prezantimit të qëndrimeve nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi rekomandimin e komisionit.

Seanca zhvilloi punimet me shqyrtimin e raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2012. Qëndrimin e komisionit funksional e paraqiti kryetari Zenun Pajaziti, sipas të cilit, raporti është në pajtim me Ligjin për ndërmarrjet publike dhe i rekomandohet seancës miratimi i tij.

Gjatë diskutimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë, u dhanë vlerësime të ndryshme për punën e ndërmarrjeve publike, të prezantuar në raport. U potencua se ka avancime të caktuara, mirëpo performanca e tyre lë për të dëshiruar. Diskutimet e deputetëve u fokusuan në zhvillimet në sektorin e post-telekomit, të energjisë, të ujërave etj., për të cilat u tha se bazuar në trendet aktuale, nevojiten edhe shumë vite për arritjen në shkallën 100 për qind të efikasitetit. U kërkua, gjithashtu, që të respektohet barazia gjinore në bordet e këtyre ndërmarrjeve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, megjithëse u shpreh jo gjithaq i kënaqur me punën dhe rezultatet e ndërmarrjeve publike, tha se vërehet një ndryshim kualitativ dhe kërkoi miratimin e raportit, i cili, sipas tij, vë në pah punën e tyre gjatë vitit të kaluar.

Përkundër kësaj, raporti nuk i mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Në vazhdim, u shqyrtua raporti vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2012, të cilin e paraqiti kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti. Sipas tij, Kuvendit i rekomandohet miratimi i raportit, si dhe plotësimi i bordit të këtij agjensioni, i cili vazhdon të mbetet gjysmak tash e disa muaj.

Lidhur me shpenzimet dhe aspektet e tjera financiare të AKP-së, të paraqitura në raport, foli kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila vlerësoi se në raport janë paraqitur shpenzimet në mënyrë të hollësishme, konform kërkesave të komisionit.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu, ndërkaq, u ndal në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, i cili, siç tha ai, ka hasur në parregullsi të ndryshme. Deputeti Sadriu tha se komisioni ka konstatuar se vendet bosh në bord kanë penguar vendimmarrjen formale, kanë shkaktuar vonesa në procesin e privatizimit dhe në nënshkrimin e kontratave. Ai bëri të ditur se komisioni ka paraqitur disa rekomandime.

Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare paraqitën qëndrimet lidhur me raportin në diskutim. Përfaqësues të grupeve parlamentare në pushtet (Valbona Dibra - PDK, Myzejene Selmani - KKR, Albert Kinolli - 6+), i dhanë përkrahje raportit dhe kërkuan miratimin e tij në seancë. U vlerësua se raporti paraqet në mënyrë të hollësishme aktivitetet dhe sfidat e agjensionit dhe të procesit të privatizimit në tërësi. U identifikuan, gjithashtu, edhe dobësi të caktuara.

Deputetë nga grupet parlamentare në opozitë (Teuta Sahatqija - LDK, Visar Ymeri - VV dhe Donika Kadaj - Bujupi - AAK), ndërkaq, shprehen qëndrimet kundër miratimit të raportit, duke e konsideruar atë raport të dëshirave, ndërsa AKP-në një agjencion impotent karshi detyrave që duhet t'i kryej. Nëpërmjet deputetit Sasha Gjokiq, kundër raportit u shpreh edhe Grupi Parlamentar Ardhmëria e Përbashkët.

Debati vijoi me diskutimet e deputetëve: Ramiz Lladrovci, Muhamet Mustafa, Sala Berisha-Shala, Nijazi Idrizi, Naser Osmani, Sadri Ferati dhe Bekim Haxhiu.

Pothuajse në të gjitha diskutimet, theks i veçantë u vu te nevoja për kompletimin sa më të shpejtë të bordit, si mundësi e vetme për zhbllokimin e një sërë punëve të mbetura pezull në këtë agjension.

As ky raport nuk u miratua nga ana e Kuvendit.

Seanca vazhdon nesër në orën 10:00.

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit