Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete sqaron pozicionin e vet

E Enjte, 19.12.2013




Grupi i Grave Deputete dëshiron të sqarojë pozicionin e vetë lidhur me çështjen e kuotës gjinore prej 30 për qind, kategori kjo që tashmë është e rregulluar me ligj.

Pas deklarimeve nëpër media të një numri të përfaqësuesve politik se kuota prej 30 për qind duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, GGD-ja konsideron se një tendencë e tillë po bëhet për të ndryshuar kushtetutën për qëllime të tjera politike, që nuk kanë të bëjnë me çështje gjinore. Shfrytëzimi i grave për të ndryshuar Kushtetutën është i padrejtë dhe i papranueshëm.

Kuota gjinore prej 30 për qind është e rregulluar me ligj, ndërkaq neni 71 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës tashmë parasheh barazinë gjinore në përfaqësimin në Kuvend. Ky parim kushtetues është përkthyer në masa konkrete të përfaqësimit, duke miratuar kështu kuotën në ligjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Prandaj, tashmë nuk ka nevojë të ndryshohet Kushtetuta, për ta rregulluar këtë çështje, që tashmë është e drejtë e fituar. Për më tepër, Kushtetuta parasheh se masat afirmative të cilat kanë për qëllim arritjen e barazisë së grupeve më pak të përfaqësuara nuk konsiderohet diskriminim.

GGD-ja vlerëson se kuota është një nga masat afirmative që ka prodhuar rezultate jashtëzakonisht pozitive për pjesëmarrjen e gruas në politikë, që prej mandatit kur ka filluar të aplikohet. Megjithatë, edhe me aplikimin e kësaj kuote, barazia gjinore nuk është arritur, meqë gratë paraqesin 50 për qind të popullatës. Prandaj, gratë janë kundër betonimit të 30 për qind të tyre, në Kushtetutë, e cila pastaj nuk do të mund të ndryshohej pa votim të shumicës së dyfishtë.