Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 18.12.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi disa projektligje.
Komisioni rishqyrtoi vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat më tarifë zero të tatimit doganor, si dhe Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë. Pasi bëri disa ndryshime në nene të caktuara të projektligjeve, komisioni i procedoi ato për miratim në Kuvend.
U përkrah, gjithashtu, edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, me amendamentet e komisionit funksional.
Nuk u përkrahën, ndërkaq, amendamentet e propozuara nga Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Integrime Evropiane lidhur me Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, me konstatimin se ato përmbajnë implikime shtesë buxhetore. Komisioni propozoi një amendament shtesë.
Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, me amendamente e komisionit funksional, u pajtua që të krijohet një grup punues i cili do të merret me shqyrtimin e mëtutjeshëm të tij.