Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion

E Mërkure, 18.12.2013




Komisioni për Legjislacion, kryesuar nga anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Fillimisht kryesuesja e grupit të punës së këtij projektligji, Albulena Haxhiu, vlerësoi se ky projektligj ka shumë mangësi për të parandaluar konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik. "Kosova nuk vuan nga mospasja e ligjeve, por nga moszbatueshmëria e tyre në praktikë. Ky ligj nuk është zbatuar nga institucionet që janë të thirrura t'i zbatojnë këto ligje. Jemi në dijeni për shumë raste, në të cilat Agjensia Kundërkorrupsion ka vepruar me standarde të dyfishta, duke mos parandaluar konfliktin e interesit tek disa persona dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar këtë", tha Haxhiu, duke shtuar se ndryshimet që janë bërë në këtë projektligj janë tejet teknike.

Ajo më tej theksoi faktin se mangësitë e këtij projektligji do ta vështirësojnë punën e AKK-së për ta parandaluar konfliktin interesit. " Ministria e Drejtësisë e ka vështirësuar punën tonë, ngase nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e AAK-së gjatë plotësim ndryshimit të ligjit", tha Albulena Haxhiu.

Edhe anëtari i komisionit Haki Demolli mes tjerash shprehu shqetësimin e tij rreth zbatueshmërisë së ligjeve në përgjithësi, duke e theksuar faktin se rekomandimet e dala nga ky dëgjim publik do të duhej të inkorporohen gjatë amendamentimit të projektligjit.

‘Kemi legjislacion të mjaftueshëm, por problemi është të zbatimi apo orvatja për zbatimin e këtyre ligjeve", tha Demolli.

Më tej foli edhe zv.ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Daut Xhemajli. Duke përmendur qëllimet kryesore të këtij projektligji, ai tha se është bërë harmonizimi i këtij projektligji me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit sanksionet për veprën e konfliktit të interesit janë rritur në masë të dukshme dhe kjo vepër është kualifikuar si vepër penale, meqë parashihet edhe dënimi me burgim.

Tutje, Xhemajli tha se gjatë amendamentimit të këtij projektligji do të ketë pak hapësirë për ndonjë plotësim, ndërsa shtoi se është krijuar kornizë e mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit.

"Jemi të përkushtuar për perfeksionimin e kornizës kundërkorrupsion, në mënyrë që të krijojmë të gjitha kushtet për të luftuar këtë dukuri. Kjo tregon qartë përkushtimin e institucioneve tona për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit", tha zv.ministri Xhemajli.

Me këtë rast folën edhe përfaqësues të Agjensisë Kundër Korrupsion, përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe të organizatës "Çohu".

Nga përfaqësues të organizatës "Çohu" u paraqitën disa vërejtje në nene të caktuara. Arton Demhasaj tha se ky projektligj nuk i përmbush kushtet për të qenë i zbatueshëm në praktikë dhe funksional, duke përmendur faktin se në këtë projektligj ka më shumë ndryshime teknike.

Frashër Murtezaj nga AKK-ja fillimisht foli për procesin e fillimit të hartimit të këtij ligji nga MD-ja. Ai tha se kërkesë e AKK-së ka qenë që të nxirret një ligj i ri, meqë sipas tij më lehtë do të ishte i zbatueshëm. Murtezaj tha se nuk kanë gjetur përkrahjen e Ministrisë së Drejtësisë për të bërë një ligj të ri edhe pse AKK-ja ka dhënë propozime konkrete. Disa nga këto propozime janë pjesë e projektligjit, por disa nga to nuk janë marrë parasysh. Më pas ai shpalosi disa nga rekomandimet e tyre të cilat duhet të jenë pjesë e ligjit.

Edhe Etrur Maloku nga Ambasada Amerikane tha se ky ligj i përmbush disa objektiva, me theks të veçantë rritjen e transparencës së personave zyrtarë dhe harmonizimin e ligjit me Kodin Penal dhe atë të Procedurës penale, ndërkaq përmendi disa nga dispozita të cilat janë të paqarta në këtë ligj dhe çështje tjera.

Anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, kritikoi procedimin e shpeshtë të këtij ligji për plotësim-ndryshim, ndërsa përmendi edhe mos monitorimin e këtij ligji nga Komisioni për Legjislacion. "Duhet t'i shohim praktikat më të mira të vendeve ndërkombëtare dhe të mos ngutemi, e assesi të mos eksperimentojmë, por të jemi sa më konkret", tha Zemaj, duke shtuar se duhet të ketë definim të qartë të dispozitave ligjore.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion