Lajmet e fundit

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën për energjinë, organizuar nga Parlamenti Evropian

E Mërkure, 18.12.2013




Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti dhe nënkryetarja e këtij komisioni, Teuta Sahatqija, morën dje pjesë në konferencën ndërkombëtare, e cila është mbajtur në Bruksel, me temën: "Tregu i brendshëm i energjisë së BE-së në shekullin 21".

Në këtë konferencë, organizuar nga Komisioni për Industri, Kërkim dhe Energjetikë (ITRE), i Parlamentit Evropian, kanë marrë pjesë deputetë nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së dhe nga parlamentet e vendeve të para-anëtarësimit në BE. Gjatë punimeve të kësaj konference është diskutuar për të arriturat dhe perspektivat e politikës energjetike evropiane dhe mënyrat më të mira për të bërë përshtatjen e brendshme të shteteve të BE-së në tregun e energjisë. Është biseduar po ashtu edhe për sfidat aktuale, si dhe ato në të ardhmen.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, Zenun Pajaziti, në këtë konferencë ka njoftuar lidhur me pakon legjislative në fushën e energjisë dhe reformat të cilat po bën Kosova për harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së. Deputetja, Teuta Sahatqia, ndërkaq ka diskutuar lidhur me hapjen e tregut të energjisë, si dhe linjat e interkoneksionit dhe mundësitë e prodhimit të energjisë së ripërtritëshme.

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë  marrë pjesë në konferencën për energjinë,  organizuar nga Parlamenti Evropian