Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 18.12.2013




Komisioni për Punë të Jashtme në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Informatën nga Raporti i Progresit 2013 të Komisionit Evropian - vlerësimi i politikës së jashtme të Kosovës. Informata është bazuar në një analize të përgatitur nga Drejtoria për hulumtime në Kuvend, të cilën anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar , të përciptë , përshkruese dhe jo mjaft analitike. Ata kanë shprehur brengosjen e tyre për ngjarjet e fundit në Bruksel, kur Serbia, iç u tha, fitoi shumë, kurse Kosova dhe Shqipëria gati asgjë. Ata shprehën keqardhje për qëndrimin neutral të BE-së ndaj statusit të Kosovës, si dhe për faktin që në Raportin e Progresit vlerësohen të arritura pozitive madje edhe shmangiet juridike, politike dhe protokollare nga esenca e shtetësisë së Kosovës, nga vetë përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës. Por në këtë takim pati edhe zëra se në Raport ka edhe vlerësime për përparime të prekshme në Kosovë, përfshirë këtu edhe sferën e politikës së jashtme të vendit.

Duke qenë se në seancën e nesërme pritet të debatohet për Raportin e Progresit për Kosovën, anëtarët e Komisionit janë trimëruar që të angazhohen seriozisht në këtë debat.
Po në takimin e sotëm është shqyrtuar edhe Raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Raporti është mbështetur në analizën e Grupimit për Studime Juridike dhe Politike, kurse për këtë ka raportuar kryesuesi i grupit punues për këtë raport, Hydajet Hyseni-Kaloshi.

Pasi i kanë dhënë vërejtjet e tyre, si dhe idetë për zbatimin sa më të përpiktë të këtij Ligji, anëtarët e Komisionit janë angazhuar që raporti të miratohet sa më parë në seancë plenare të Kuvendit.

Nga mbledhja e Komisionit  për Punë të Jashtme