Lajmet e fundit
Administrata e Kuvendit takimin përmbyllës të vitit me donatorë
E Marte, 17.12.2013
Në takimin përmbyllës të Administratës së Kuvendit me donatorët që e mbështesin punën e legjislativit të vendit, të drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, u diskutua matrica e programeve dhe aktiviteteve të planifikuara që të implementohen në mbështetje Kuvendit të Kosovës, nga organizata që mbështesin organet, trupat e punës dhe administratën e Kuvendit të Republikës se Kosovës, gjatë vitit 2013-2014.
Pasi kreu i administratës së Kuvendit i ka falënderuar donatorët që e mbështesin Kuvendin e Kosovës, përfshirë komisionet parlamentare dhe stafin e tyre, është shprehur se mbështetja e deritanishme e tyre e ka ndihmuar shumë profesionalizimin dhe funksionimin e administratës së Kuvendit. Ai ka theksuar se me kalimin e kohës janë rritur nevojat e segmenteve të ndryshme të Kuvendit, duke u shprehur i bindur se do të vazhdojë të ngrihet në sasi dhe cilësi edhe ndihma donatorëve për Kuvendin e Kosovës.
Zyrtarja e lartë për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe donatorët, Shqipe Krasniqi, ndërkaq, ka shpjeguar për punën e deritanishme për harmonizimin e nevojave të segmenteve të caktuara të Kuvendit me ofertat e specifikuara të donatorëve.
Në vazhdim përfaqësues të NDI-së, OSBE-së,GIZ-it, të UNDP-së dhe të DICAF-it kanë specifikuar mbështetjen e deritanishme për Kuvendin, si dhe kanë projektuar planet për zgjerimin e mbështetjes gjatë vitit 2014.
Kanë dominuar planet për mbështetjen e komisioneve parlamentare, sidomos të atij për Buxhet dhe Financa, të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të Komisionit për Integrime Evropiane, pastaj për kontrollin demokratik të sektorit të sigurisë: Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.
Vëmendje i është kushtuar edhe mbikëqyrjes parlamentare të zbatimit të buxhetit nga ana e ministrive përkatëse, si dhe mbështetjes së Drejtorisë për Hulumtime Parlamentare, asaj për Harmonizim dhe Standardizim, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Çështje Ligjore dhe Procedurale.
Në vazhdim është zhvilluar një bashkëbisedim i sinqertë ndërmjet udhëheqësve të ndryshëm të drejtorive të Administratës së Kuvendit me donatorët në funksion të orientimit sa më të mirë të donacioneve për Kuvendin dhe efektivitetit sa më të lartë të tyre.