Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Marte, 17.12.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua informata e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i komisionit, Ahmet Isufi , shpalosi para anëtarëve të komisionit informatën e MPB-së, me theks të veçantë lidhur me numrin e zyrtarëve serb që planifikohen të integrohen, mënyrën e aplikimit dhe përzgjedhjes së këtyre pjesëtarëve, si dhe për çështjen e trajnimit të tyre.
Anëtarët e Komisionit pas diskutimit të tyre, vlerësuan raportin, ndërkaq kritikuan gjendjen e përshkruar në raport lidhur me këtë çështje.
Komisioni kërkoi që AKI-ja të bëjë verifikimin e të gjithë pjesëtarëve që hyjnë në kuadër të Policisë së Kosovës, ndërsa të gjithë ata që kanë bërë krime apo kanë bërë vepra antiligjore ose kanë cenuar jetën e qytetarëve, integritetin territorial, apo janë marrë me veprimtari të dëmshme për shoqërinë, të mos jenë pjesë e Policisë së Kosovës. Anëtarët e komisionit po ashtu u dakorduan që komisioni në planin e punës për vitin 2014 të ketë prioritet përcjelljen në vazhdimësitë këtij procesi.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e komisionit diskutuan edhe për aktivitetet kryesore të Komisionit gjatë këtij viti.
U theksua se Komisioni gjatë periudhës janar - dhjetor të vitit 2013 ka mbajtur tridhjetë mbledhje, njëzet e pesë takime të grupeve punuese, dy dëgjime publike, ndërkaq ka shqyrtuar dhe amendamentuar dhjetë projektligje dhe ka bërë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.