Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 17.12.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtuan dhe u përkrahën rekomandimet e komisionit lidhur me raportet e auditimit në sektorin e shëndetësisë.
Mes tjerash Komisioni i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë plan veprimi për adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe në afatin prej tre muajve, me raport me shkrim të njoftojë Komisionin për planet për menaxhim të mbeturinave në institucionet shëndetësore, si dhe për emërimin e personave përgjegjës për procesin e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave për të gjitha institucionet shëndetësore, sipas kritereve të përcaktuara dhe për emërimin e komisioneve për menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme.
Tutje, komisioni parlamentar për mbikëqyrje të Financave Publike i rekomandon MSH-së dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të instalojnë sistem të integruar për menaxhimin dhe asgjësimin e mbeturinave në institucionet shëndetësore dhe për këtë çështje të ketë raport me shkrim në komision, nga këto dy institucione. Po ashtu, u rekomandua që MMPH-ja të gjejë një zgjidhje të përhershme për deponimin e mbeturinave toksike deri në asgjësimin final të tyre, sipas standardeve.
Sa i përket Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, komisioni rekomandoi që QKUK-ja të dorëzojë plan veprimi për adresimin e rekomandimeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, ndërsa nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm u kërkua që të bëjë auditimin e performancës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkitazi me shërbimin që ju ofrohet qytetarëve.
Tutje, komisioni rekomandoi që ZAP-i të bëjë auditimin e performancës në QKUK për furnizimin me barna dhe të shfrytëzimit të pajisjeve medicinave. Ndërkaq, për Agjensionin Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM), komisioni rekomandoi që AKPM të njoftojë Komisionin me një plan veprimi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it.