Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 16.12.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah raporti me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe Projektligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit. Me këtë rast, gjatë diskutimit, disa anëtarë të komisionit shprehën qëndrime kundër neneve 16, 17, 18 dhe 19, që ndërlidhen me pensionin e deputetit.

Në vijim, anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe raportin me rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për Buxhet, për vitin 2014, pas propozimit për shqyrtim të këtij raporti në mbledhjen e sotme të komisionit, nga nënkryetari i komisionit, Behar Selimi.

Me këtë rast, kryetari i komisionit, Arben Gashi, tha se propozimi i Qeverisë së Kosovës për përfshirjen e amendamentit 8 në Projektligjin për Buxhetin, që ka të bëjë me shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Ligjin për Buxhetin dhe se ky amendament nuk duhet të jetë pjesë e këtij ligji. Ai tha se kjo është ndërhyrje flagrante në sistemin e financave dhe në sistemin juridik të Kosovës, duke shtuar se kjo mund të rrezikojë qëndrueshmërinë institucionale dhe ligjore.
Anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, duke sqaruar se Lëvizja Vetëvendosje është kundër amendamentit 8 dhe ligjit në tërësi, tha se me këtë propozim të Qeverisë po shkelet Rregullorja e punës së Kuvendit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Edhe Armend Zemaj, vlerësoi se kjo çështje është për keqardhje dhe se Kuvendi duhet ta marrë guximin që të mos kalojë çështje të tilla, duke shtuar po ashtu se kjo është në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit.
Haki Demolli shprehu qëndrimin e tij dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër rekomandimeve dhe kundër procedimit të amendamentit 8, siç tha ai, pa u analizuar në aspektin e kushtetueshmërisë.

Ndërkaq, Ardian Gjini, duke përmendur faktin se amendamenti 8 është me probleme, tha po ashtu se komisioni duhet të nxjerrë rekomandime për seancë plenare që ka të bëjë me ligjshmërinë e këtij amendamenti. Por, një rekomandim i tillë nuk mori votat e anëtarëve të komisionit.

Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit, raporti me rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për Buxhet, për vitin 2014, mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të komisionit për procedim në seancë plenare.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion