Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Hënë, 16.12.2013




Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu dhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Kosovës dhe atij ndërkobëtar, kanë njoftuar sot Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me ecurinë e zhvarrimit të gjetjeve mortore të personave të zhdukur. Ata janë fokusuar në zhvillimet e javës së kaluar në fshatin Rudnicë afër Rashkës, me ç'rast gjatë mihjeve në atë lokacion është bërë zhvarrimi i mbetjeve mortore të pesë personave të zhdukur. Duke folur për angazhimet e Komisionit qeveritar, Gjetaj vuri në dukje se lokaliteti në fshatin Rudnicë afër Rashkës, për këtë komision ka qenë i dyshuar si varr masiv që nga pas lufta. Ai në mënyrë kronologjike përshkroi angazhimet, për të cilat tha se kanë qenë të parreshtuara. Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur Gjetaj, po ashtu njoftoi se në këtë lokacion, ku tashmë ka rezultuar të ketë gjetje mortore, është mihur edhe më parë, por që në atë kohë nuk është hasur në gjetje mortore. Për identifikimin e saktë të pranisë së gjetjeve mortore në këtë fshat të Serbisë, ai tha se qenësor ka qenë incizimi satelitor i lëvizjeve të dheut në zonën e dyshuar. Ai për këtë falënderoi shtetet mike të Kosovës në kuadër të NATO-s, të cilat kanë kryer vëzhgimet dhe incizimet satelitore. Për informata më të detajuara, Gjetaj premtoi se me kohë do tu ofrohen të gjitha institucioneve dhe familjeve të të zhdukurve.

Për procedurën e identifikimit të personave të zhvarrosur ka folur drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu. Ai tha se procesi i identifikimi të personave të zhdukur do të shkojë mbarë, për shkak se bashkëpunimi në mes të dyja komisioneve ndërshtetërore është shumë i mirë dhe nuk do të paraqesë problem në këtë drejtim. Gërgjaliu me këtë rast foli edhe për mënyrën e identifikimit të zonave të dyshuara dhe bëri thirrje që secili të kontribuojë në mbledhjen e informatave dhe fakteve për zonat e dyshuara, përkatësisht të varrezave masive. Për sa i përket lokacionit të zbuluar në javën e kaluar ai tha se që nga viti 2002 kanë dyshuar për këtë varrezë masive. Në këtë varrezë, sipas Gërxhaliut, dyshohet të jenë varrosur 250 deri në 450 persona. Ai ka bërë me dije se në këtë lokacion dyshohet edhe për dy varreza masive. Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq të Kosovës, Kushtrim Koci, ndërkaq, ka folur për

ecurinë e përpilimit të Regjistrit qendror për personat e zhdukur. Ai njoftoi se në këtë regjistër aktaulisht janë të identifikuar 1721 persona, ndërsa regjistrit të cilit i referohen të gjitha institucionet është Regjistri i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ai foli edhe për decentralizimin e regjistrit me të dhënat e personave të zhdukur, për të cilin tha se ai është duke u përpiluar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë.

Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdali, falënderoi përfaqësuesit e këtyre institucioneve, dhe i siguroi ata për bashkëpunim të ngushtë dhe ndihmë të pakursyer nga komisioni që ajo udhëheqë.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar edhe peticionin e një grupi të punëtorëve të ish ndërmarrjes "Trasing" nga Prishtina. Ankesat e punëtorëve të kësaj ish- ndërmarrje kishin të bënin me hezitimin e AKP-së për të paguar pagat e këtyre punëtorëve që nga viti 2011. Lidhur me këtë, komisioni është njoftuar nga përfaqësuesi i AKP-së, përkatësisht drejtori i Departamentit për Koordinim të Likuidimit, Muahrrem Arifi. Ai sqaroi se Bordi i AKP-së në mungesë të përbërjes së plotë nuk mund të marrë vendime ekzekutive.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...