Lajmet e fundit
Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës organizoi Tryezë të Rrumbullakët me të rinjtë e komuniteteve Romë,Ashkalinj dhe Egjiptas
E Premte, 13.12.2013
Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me organizatën joqeveritare "Health for All"' organizoi tryezë të rrumbullakët me të rinj të komuniteteve Romë,Ashkalinj dhe Egjiptas.
Kryetarja e GDR-së, zonja Ganimete Musliu duke iu uruar mirëseardhje pjesëmarrësve potencoi misionin e Grupit që ajo drejton, si dhe rëndësinë që ka arsimimi i të rinjve nga komunitetet Romë,Ashkalinj dhe Egjiptas, si dhe përfshirja e tyre sa më e lartë në jetën institucionale në Kosovë. Në këtë vështrim deputetja Musliu theksoi përkushtimin e iInstitucioneve të Kosovës për të garantuar mundësi të barabarta për të gjitha komunitetet, gjë që është dëshmuar edhe në praktikë, pasi që Kosova është shtet model në trajtimin e komuniteteve jo-shumicë në të gjitha nivelet.
Deputet Albert Kinolli theksoi mbështetje që gëzon komuniteti RAE nga të gjitha institucionet, duke siguruar edhe hapësirë në të gjitha sektorët institucionalë dhe më gjerë.
Nga ana e deputetëve Mulsiu dhe Kinolli, u adresua edhe problemi i arsimimit të pjesëtarëve të komunitetit RAE. Ofrohej mundësia e adresimit të çështjeve konkrete nga vetë përfaqësuesit e organizatave nga komuniteti RAE.
Zonja Albulena Zaimi, Menaxhere e Programit në Forum SYD, organizatë kjo që përkrah projektin e OJQ "Health for All' në integrimin e komunitetit RAE në jetën shoqërore, theksoi përkushtimin e organizatës që ajo drejton për të mbështetur sa më shumë nisma që kanë qëllim avancimin e pozitës së komunitetit RAE në shoqërinë kosovarë dhe në të njëjtën kohë falënderoi Grupin e Deputetëve të Rinj, përkatësisht kryetaren Musliu për mundësinë e ofruar për bashkëpunim me organizatat që përfaqësojnë këtë komunitet.