Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 12.12.2013
Pas pikave të rëndomta deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare në mbledhjen e sotme plenare të kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti) , deputetët e Kuvendit në lexim të parë shqyrtuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi.
Në emër të grupeve parlamentare për mbështetje të këtij projektligji u deklaruan Elmi Reçica (PDK), Myzejene Selmani (KKR) e Sasha Gjokiq (Ardhmëria e Përbashkët), ndërsa, Lirije Kajtazi duke folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së dhe Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosje!, shprehën qëndrimet e tyre kundër miratimit të këtij projektligji, të cilët theksuan se në këtë projektligj nuk ka ndonjë ndryshim, duke paraqitur vërejtje tek mospërputhshmëria e kostos buxhetore. Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se kjo vjen si pasojë e kushtëzimeve të ndryshme dhe se kërkesat e Serbisë po bëjnë ndryshime ligjore brenda shtetit tonë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, nuk mori dritën jeshile për procedim të mëtejmë, meqë nuk mori votat e nevojshme nga shumica e deputetëve.
Më tej deputetët në lexim të parë shqyrtuan dhe përkrahën Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të
Auditimit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, ministri i Financave, Besim Beqaj, duke paraqitur dhe arsyetuar këtë projektligj tha se Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës rregullon funksionimin e auditorit të përgjithshëm, meqë në ligj kishte shumë mangësi. Ai vlerësoi se Auditorit të Përgjithshëm i sigurohet pavarësi e lartë ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe se do të evitohen paqartësitë ekzistuese.
Ky projektligj sipas ministrit Beqaj rregullon mënyrën e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve me Auditorin e Përgjithshëm dhe ofrimin e informatave për procesin e auditimit.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Ali Sadriu, tha mes tjerash se ky projektligj rregullon organizimin, veprimtarinë dhe kompetencat e zyrës së auditorit të përgjithshëm dhe fushëveprimin për auditimin e jashtëm të fondeve publike dhe rrit nivelin e transparencës në funksionimin e auditorit të përgjithshëm.
Pas shqyrtimit të Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, të cilin e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadërgjonaj, deputetët e përkrahën këtë raport.
Deputetët me shumicë votash po ashtu përkrahën edhe Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe
Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike, të cilin e arsyetoi kryetari i këtij komisioni, Zenun Pajaziti. Me këtë rast ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, tha se vërejtjet e këtij komisioni parlamentar në këtë raport janë të pranueshme, duke përmendur edhe mundësinë për ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike.
Deputetët me shumicë votash përkrahën edhe Projektligjin për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjin për investimet e huaja.
Tutje, deputetët me votim të fshehtë votuan për zgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, mirëpo meqë asnjëri nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme konkursi duhet të përsëritet.
Krejtësisht në fund deputetët me votim të fshehtë votuan edhe për zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Anëtarë të këtij këshilli u zgjodhën Shkëmb Manaj, Hajzer Salihu dhe Gjylnaz Novobrdali Gola. Ndërkaq, në mungesë kuroumi votimi për zgjedhjen e anëtarit tjetër të këtij këshilli mbeti të bëhet nesër duke filluar nga ora 10:00.