Lajmet e fundit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mban fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 12.12.2013
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, iu drejtua sot me fjalimin vjetor deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mbledhja e Kuvendit u kryesua nga kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi.
Në fillim të fjalës së saj presidentja Jahjaga u përqendrua në sukseset dhe sfidat e vendit tonë në përmbushjen e vizionit për të cilin gjenerata të tëra kanë sakrifikuar për të realizuar këtë projekt madhor, që ka sjellë paqen dhe stabilitetin për gjithë rajonin e Evropës Juglindore dhe për Evropën në tërësi.
Zgjedhjet dëshmuan përgjegjësinë , organizimin dhe mbarëvajtjen e mbarë procesit
Në këtë frymë, ajo në vijim theksoi:"Sot, kur kemi përmbyllur një proces të suksesshëm të zgjedhjeve komunale, ne qëndrojmë së bashku për të vlerësuar punën dhe angazhimin tonë brenda një viti në ndërtimin e vlerave demokratike dhe për të përcaktuar synimet tona.
Këto zgjedhje kanë treguar se jemi të përgjegjshëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të rëndësishëm ku vota e qytetarit të Republikës së Kosovës, si e drejtë e shenjtë e tij, është dëshmuar të jetë e lirë, shprehje e vullnetit të tyre, i mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Tani, kur e kemi përmbyllur edhe një proces të rëndësishëm në përpjekjet tona për të ndërtuar shtetin e së drejtës, i kemi hapur vetes rrugën e integrimeve evropiane, një aspirate të kamotshme të qytetarit të Kosovës, pa dallim.
Me këto zgjedhje, që për herë të parë janë mbajtur njëkohësisht në tërë territorin e vendit, i kemi afruar qytetarët tanë më afër njëri-tjetrit, duke filluar integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet e vendit.
Ky është suksesi i përbashkët i popullit, i institucioneve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, që është shembull se shoqëria jonë mund të ndërtohet mbi vlera dhe se shteti ndërtohet mbi parimet ligjore. Kosova duhet të vazhdojë të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, ku toleranca dhe mirëkuptimi janë vlerat themelore të saj.
Përgjatë kësaj periudhe, po aq sa edhe gjatë gjithë historisë së ekzistimit të Republikës së Kosovës, kemi dëshmuar se jemi një shtet që është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, duke provuar që të tejkalojmë dallimet e të kaluarës dhe duke dhënë shembullin për ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Nuk ka qenë e lehtë që të adresohen sfidat dhe të gjinden zgjidhjet. Plagët e luftës në Kosovë nuk janë shëruar ende, sepse pasojat që ka lënë kjo luftë ende nuk janë tejkaluar", theksoi presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Dialogu - një dritare e re e mundësive më të mëdha
Duke i bërë një vështrim dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , ajo u shpreh:"Dialogu është mënyra e vetme për të vendosur paqen dhe stabilitetin, si dhe për të garantuar përparimin e vendit tonë. Është e kuptueshme që në shoqërinë tonë kemi pasur hezitime dhe kundërshtime për procesin e dialogut, që duhet të përfundojë me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që siguron paqe dhe stabilitet dhe hap rrugën drejt të ardhmes evropiane.
Le ta shohim Marrëveshjen si një mënyrë për të ecur përpara dhe si një qëllim tonin për të realizuar synimin për integrimin e vendit, për ruajtjen e tërësisë sonë si shtet. Dhe le ta shohim atë si një përpjekje të mirë të miqve tanë ndërkombëtarë, të SHBA-së dhe të BE-së, për të na ndihmuar që ta tejkalojmë historinë e dhunës dhe të mosmarrëveshjeve, duke na hapur një dritare të re të mundësive më të mëdha.
Mirëpo, ajo që na duhet është zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Normalizim, sepse vetëm kështu mund të ketë kuptim ajo. Dhe zbatimi duhet të bëhet kapitull për kapitull, hap pas hapi".
Znj. Jahjaga në vazhdim shprehu dëshirën që marrëveshja të mbikëqyret nga afër nga BE-ja, gjithsesi edhe nga SHBA-ja, që kanë qëndruar krahas Kosovës gjatë gjithë kohës, ashtu siç kanë qenë përkrah Kosovës kaherë, edhe në kohë të vështirë të represionit, edhe gjatë luftës, por në veçanti gjatë ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë demokratike. Dëshirohet që marrëveshja të ketë sukses , sepse ajo nënkupton hapjen e perspektivës për të gjithë rajonin dhe gjithsesi një rrugë të pakthyeshme drejt integrimeve euroatlantike. Marrëveshja nënkupton qëndrueshmëri në Evropën Juglindore, ajo garanton shtetin e së drejtës.
Prandaj, Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve dhe zbatimi i plotë i saj, përmes mbikëqyrjes ndërkombëtare të këtij procesi, kërkohet të shërbejë si kushtëzim i integrimit evropian të Serbisë. Hapja e çdo kapitulli të bisedave për anëtarësim të Serbisë në BE do të duhej të vlerësohej me hapat e bërë në rrugën e zbatimit të marrëveshjes me Kosovën.
Çdo gjë që garantohet me Kushtetutë do të përmbushet
Përkitazi me aspektet e dialogut që ka të bëjë me përmbushjen e kapaciteteve të Kosovës për realizimin e aspiratave evropiane, presidentja Jahjaga tha:" Dialogu me qytetarët tanë të të gjitha komuniteteve, posaçërisht komunitetit serb, është përpjekje për të përmbyllur kapitujt e mosbesimit në mes nesh dhe për të hapur kapituj të rinj mbi mirëbesimin dhe qëllimet e përbashkëta për një jetë më të mirë. Prandaj ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit komunitetit serb, që jeton në jug e në veri të lumit Ibër.
Dhe tani kemi përgjegjësi. Kemi përgjegjësi për të ndihmuar këtë komunitet, që të jetojë në një mjedis ku respektohet rendi dhe ligji, të çlirohet nga frika e kriminelëve, të cilët kanë përfituar në dëm të tyre, dhe të udhëhiqen nga liderë që përfaqësojnë vullnetin e tyre. Prandaj, ne kemi përgjegjësinë ta ndërtojmë së bashku të ardhmen e vendit tonë, duke mundësuar integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Të jemi të qartë - Kosova është vend ku zbatohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria dhe ku secili qytetar i ka të garantuara të drejtat dhe liritë e tij. Komunat e Kosovës mund të ndihmojnë njëra-tjetrën, mund të lidhin partneritete ndërmjet veti, në përputhje me funksionimin demokratik të institucioneve të vendit. Çdo gjë që i takon me ligj, cilitdo komunitet, do të zbatohet. Çdo gjë që garantohet me Kushtetutë do të përmbushet. Le t'i hapim rrugën zgjidhjeve që bazohen në ligjet dhe proceset tona ligjore. Përgjegjësinë për ecjen tonë drejt një jete më të mirë do ta bartim së bashku, sepse është e mundur që ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Ne po dëshmojmë se është e mundshme që bashkërisht të ndërtojmë të ardhmen", theksoi presidentja.
Ajo në vijim foli për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe për përpjekjet e Kosovës për t' u inkuadruar në organizatat ndërkombëtare, njëherësh duke u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, NATO-s, edhe e të gjithë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, sepse kjo është e ardhmja e vendit dhe e ardhmja e secilit shtet të pavarur.
Duke përmbyllur fjalën e saj presidentja Atifete Jahjaga tha:" Integrimi ynë në BE është i mundur dhe ai do të arrihet, kur ne seriozisht ta kuptojmë se kaptina më e rëndësishme e shtetndërtimit është sundimi i ligjit, është shteti i së drejtës dhe është barazia para tij. BE-ja e ka hapur mundësinë e integrimeve për ne, përmes nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ne presim t'i përfundojmë ato në pranverë të vitit të ardhshëm. Fillimi i këtij procesi ka qenë i mundur falë konsensusit të gjerë politik rreth agjendës evropiane, duke dëshmuar progres në përmbushjen e reformave", pohoi znj. Jahjaga.
Kreu i legjislativit të vendit, dr. Jakup Krasniqi, falënderoi presidenten për fjalën e mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.