Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 11.12.2013




Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, rreth zhvillimeve aktuale në fushëveprimtarinë që mbulon ministria që ai udhëheq.

Në këtë takim, të cilin e udhëhoqi kryetari i komisionit, Fikrim Damka, ministri Rashiq foli për zbatimin e Ligjit të punës dhe vështirësitë që po e shoqërojnë atë, Inspektoratin e punës, Ligjin për të verbrit, buxhetin e ministrisë etj.

Duke u përgjigjur në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e deputetëve lidhur me zbatimin e Ligjit të punës, ministri evidentoi një varg mangësish që, sipas tij, janë vërejtur gjatë zbatimit të tij në praktikë dhe rrjedhimisht, është imponuar plotësim-ndryshimi i projektligjit. Ai tha se ligji do t'i mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe veçanërisht të femrave.

Duke u përgjigjur në shqetësimin e deputetëve për zvogëlimin e mundshëm të pushimit të lehonisë, ministri Rashiq tha se kjo do të shkojë në favor të femrave, pasi që, sipas tij, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e numrit të të punësuarave.

Sa i përket punës së Inspektoratit, ndërkaq, ministri tha se zyrtarët e tij kryejnë deri në 7500 inspektime brenda një viti.

Duke folur për Ligjin për të verbrit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se mungesa e buxhetit për këtë vit ka ardhur si pasojë e një gabimi teknik, ndërsa njoftoi gjithashtu, se komisioni është në përfundim të punës së tij, në të cilin deri tani kanë aplikuar rreth 7 mijë veta.

Në takim, ministri Rashiq foli edhe për buxhetin e ministrisë dhe problemin e pensioneve të qytetarëve të Kosovës në Zvicër.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale