Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Mërkure, 11.12.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja e komisionit Suzan Novobërdali, ka shqyrtuar udhëzuesin për shqyrtimin e peticioneve. Në këtë mbledhje, komisioni diskutoi edhe për ecurinë e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për personat e zhdukur dhe të Ligjit për persona të verbër. Për sa i përket udhëzuesit për shqyrtimin e peticioneve, komisioni vendosi që të organizojë një tryezë pune, e cila pritet të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
Për ecurinë e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për persona të verbër, ndërkaq, njoftoi deputetja, Kymete Bajraktari. Ajo tha se në bazë të mbikëqyrjes së deritashme, ky ligj nuk është duke gjetur zbatim. Me këtë rast, Bajrami vuri në dukje mosmiratimin e akteve nënligjore nga ministritë përkatëse si dhe moskompenzimin material të personave të verbër, duke theksuar se 630 personave të verbër u është njohur e drejta e kompensimit, ndërsa, njoftoi se obligimi ligjor për kompensim material kësaj kategorie, ende nuk ka filluar të zbatohet.
Lidhur me këtë, komisioni vendosi që para formulimit të raportit dhe rekomandimeve lidhur me zbatimin e këtij ligji, të organizohet dëgjim publik.
Për monitorimin e Ligjit për persona të zhdukur, njoftoi deputetja Albana Gashi, kryesuese e grupit punues. Ajo njoftoi se grupi punues ka vizituar gjashtë rajone në të cilat është evidentuar numri më i madh i të zhdukurve. Mangësi ligjore ajo vlerësoi mohimin e benificioneve për familjarët e të pagjeturve. Edhe për monitorimin e këtij ligji komisioni vendosi të organizojë dëgjim publik.