Lajmet e fundit
Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës marrin pjesë në takimet e radhës së komisioneve parlamentare të Këshillit të Evropës
E Mërkure, 11.12.2013
Në Komisionin për Çështje Politike u diskutua edhe rreth raportit "Situata në Kosovë dhe Roli i Këshillit të Evropës" me raportues z. Bjorn van Sydow, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci. Komisioni morri vendim që të emërohet një raportues i ri lidhur me temën e Kosovës dhe për këtë çështje do të votohet në pjesën e parë të Sesionit 2014 në Strasburg.
Sydow theksoi se Kosova ka bërë një progres të madh drejt Këshillit të Evropës dhe rekomandimeve që janë dhënë. Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë kanë sjellë një progres pozitiv, ka theksuar Sydow, duke përgëzuar Kosovën për zgjedhjet lokale të mbajtura në mënyrë demokratike, por duke tërhequr vëmendjen se nevojitet akoma shumë punë në këtë drejtim.
Delegacioni i Serbisë kërkoi që puna e Këshillit të Evropës të vazhdojë në këtë drejtim, si dhe të jetë neutral lidhur me statusin e Kosovës.
Në fjalën e tij z. Hydajet Hyseni-Kaloshi përgëzoi z. Sydow që, si raportues, ka bërë një punë të mirë në lidhje me Kosovën. "Fusnota po e bllokon në shumë aspekte Kosovën për të bërë progres", ka theksuar Hyseni, duke pohuar që Rezoluta 1244 edhe pse është një dokument historik, është dokument i vjetër , i cili duhet të ndryshohet. "Ne jemi duke zhvilluar standarde të mira demokratike në vend, sidomos për të drejtat e minoriteteve", ka theksuar ndër të tjera Hyseni-Kaloshi, duke kërkuar nga Këshilli i Evropës që të ndihmohet Kosova dhe të mos bllokohet në rrugën e saj drejt zhvillimit të demokracisë.
Deputeti, Skender Hyseni, theksoi se Kosova ka përparuar në fushën e sundimit të ligjit dhe ka shtuar se zgjedhjet e fundit e kanë vërtetuar këtë progres, edhe pse ka akoma shumë punë për t'u bërë. "Ne jemi mbështetës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jemi të bindur që dialogu është zgjedhja e vetme e problemit" ka thënë ai, duke u angazhuar që shtetet e Ballkanit duhet të ndalin bllokimet në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.