Lajmet e fundit

Të premten mbahet tryeza shkencore kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit

E Enjte, 12.12.2013




Në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit , e mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, kur përfaqësuesit e Luftës Nacional Çlirimtare të Kosovës miratuan Rezolutën me të cilën popullit të Kosovës i njihej e drejta e vetëvendosjes, për fatin e vet, në bazë të pjesëmarrjes në lutën çlirimtare në anën e Aleancës së Bllokut Antifashist, të premten, më 13 dhjetor, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet tryeza shkencore kushtuar kësaj ngjarjes madhore kombëtare.

Në këtë tryezë shkencore, e cila organizohet nga Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Kosovës dhe mbahet nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, pritet të ndriçohen aspekte të ndryshme të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme politike e kombëtare për popullin tonë.

Me kumtesat e tyre do të paraqiten historianë , akademikë, publicistë dhe protagonistë të ngjarjeve të LNÇ-së nga Kosova dhe Shqipëria.

Është i ftuar, ndërkaq, edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.


Tryeza shkencore për 70-vjetorin e Konferencës së Bujanit mbahet në katin V-të të ndërtesës së Kuvendit, duke filluar në orën 10:00.


Tryeza do të jetë e hapur për mediat.

Të  premten mbahet tryeza  shkencore  kushtuar  70-vjetorit të Konferencës së Bujanit