Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 10.12.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Agjencisë të Privatizimit dhe Fondit të Privatizimit, për vitin 2012.
Me këtë rast anëtarë të komisionit pasi shprehën shqetësime të shumta rreth këtij raporti me opinion të kualifikuar , me theks të veçantë kërkuan sqarime nga përfaqësues të AKP-së për shpërndarjen e mjeteve të 20 përqindëshit të punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, si dhe për nënshkrimin e një kontrate për likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore pa zotim të mjeteve.
Pasi u theksuan dobësitë që janë hasur në këtë raport të auditimit të ZAP-it, anëtarë të komisionit shprehën shqetësimin e tyre rreth mos kompletimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së. U tha se ngecjet në procesin e privatizimit janë shkaktuar si pasojë e mungesës së Bordit të Drejtorëve, ndërkaq kritikë e radhës drejtuar AKP-së ishte mos adresimi në mënyrë të plotë i rekomandimeve të dhëna nga viti paraprak, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Pyetjeve të anëtarëve të komisionit iu përgjigjën drejtori menaxhues i AKP-së, Shkelzen Lluka, Skender Komoni e Haxhi Arifi nga bordi i drejtorëve dhe përfaqësues të tjerë të AKP-së, si dhe zv. auditori i përgjithshëm Artan Venhari.
Pas një diskutimi të gjerë, anëtarët e komisionit u dakorduan që raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Agjencisë të Privatizimit dhe Fondit të Privatizimit, për vitin 2012 të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit.
Me këtë rast komisioni paraqiti dhe përkrahu këto rekomandime: Qeveria të përfshijë në strategjinë legjislative të vitit 2014 plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për AKP-në me fokusim në qartësimin e procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të drejtorëve; AKP të bëjë harmonizimin e rregullave të brendshme për kompensim të anëtarëve të bordit të drejtorëve sipas ligjit mbi të ardhurat personale; AKP të hartojë rregullore të brendshme për kompensim në përputhje me ligjin për pagat e shërbyesve civil; AKP të njoftojë komisionin me raport me shkrim lidhur me të ardhurat të paguara të bordit të drejtorëve, tatimin e ndaluar në burim, sipas ligjit në fuqi; si dhe të bëhet auditim i përfomancës për procesin e 20 përqindëshin.