Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi ...

E Marte, 10.12.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i këtij Komisioni, është shqyrtuar peticioni i banorëve të 15 fshatrave nga zona e Rugovës. Lidhur me këtë peticion, i cili është nënshkruar nga 5528 banorë të kësaj ane, është kërkuar plotësim-ndryshimi i Ligjit për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", i cili sipas tyre cenon të drejtën e qytetarëve të kësaj ane në qasjen e lirë në pronën private. Anëtarët e komisionit, ndërkaq, thanë se Ligji ndikon në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e natyrës. Për sa u përket shqetësimeve të banorëve, komisioni vlerësoi se ato janë krejtësisht të pabaza. Duke vënë në spikamë përparësitë e ligjit, përfshirë edhe të drejtën e shfrytëzimit të kontrolluar të masës drusore nga ana e banorëve, komisioni vlerësoi se ky ligj është në kundërshtim vetëm me ata që në vazhdimësi kanë degraduar natyrën dhe pyjet e asaj ane. Anëtarët e komisionit, po ashtu vlerësuan se Ligji për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", banorëve të asaj ane nuk u është sqaruar në masën e duhur dhe të drejtë, andaj vendosën që para se të takojnë banorët e asaj ane, së pari të takojnë përfaqësuesit e Agjencionit të Pronave të Kosovës, përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor si dhe organizatorët e nënshkrimit të peticionit.

Në këtë mbledhje, komisioni e ka përkrahur edhe Projektligjin për kimikatet, i cili do të procedohet tutje për leximin e dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.

Nga Komisioni për Bujqësi ...