Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Premte, 06.12.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtuan informatat e Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor të Kosovës dhe EULEX-it, për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë zgjedhjeve lokale 2013.

Me këtë rast u theksua se në zgjedhjet e 17 nëntorit dhe 1 dhjetorit është ngritur niveli i gatishmërisë së Policisë së Kosovës dhe mekanizmave të sigurisë. "Është shënuar një angazhim efikas i mekanizmave të sigurisë dhe zgjedhjet kanë kaluar mirë dhe qetë", theksoi Isufi, duke shtuar se informata e Policisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme është në rregull dhe i është përmbajtur kërkesave të komisionit parlamentar për siguri.

Me këtë rast, anëtarët e Komisionit vlerësuan se Policia e Kosovës e ka kryer obligimin e vet për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ndërkaq, sa i përket informatës së Inspektoratit Policor të Kosovës lidhur me zhvillimet gjatë procesit zgjedhor në Graçanicë, u sqarua se rasti është nën hetime dhe ende nuk ka epilog, ndërkaq Komisioni do të jap një vlerësim pas rezultateve të hetimeve.

Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe informatën e misionit të EULEX-it. U tha se informata është në vijën e kërkesës së komisionit.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit theksuan se do të kërkojnë të dhëna nga Agjensia e Kosovës për Intelegjencë lidhur me disa shkrime nëpër media për rastin e drejtorit të një portali në Kosovë.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së