Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit

E Enjte, 05.12.2013




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Arsim Bajrami, Visar Ymeri, Hykmete Bajrami, Donika Kadaj- Bujupi, Blerta Deliu, Teuta Sahatqija, Glauk Konjufca, Aurora Bakalli, Sasha Gjokiq dhe Nait Hasani ngritën një varg çështjesh e shqetësimesh të qytetarëve, ndërkaq, në mungesë të përfaqësuesve nga kabineti qeveritar, pyetjet e shtruara në këtë mbledhje do të përsëriten edhe në mbledhjen e radhës. Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës magjistrale Milloshevë-Mitrovicë - Rruga M2, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Këtë projektligj para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisioni për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Ajo pasi njoftoi për kushtet e kthimit të këtij investimi, përkatësisht huas së OPEK-ut, foli edhe për rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge për të cilën tha se do të ndikojë në lëvizjen më të lehtë të njerëzve dhe mallrave. Po ashtu, ajo foli edhe për krijimin e vendeve të punës në zonën në të cilën do të ndërtohet kjo rrugë. Pas kësaj deputetët me shumicë votash (83) e miratuan këtë Projektligj.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, arsyeshmërinë e të cilit e paraqiti zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi. Gjatë debatit rreth këtij projektligji, deputetët opozitarë u shprehën kundër projektligjit, për të cilin thanë se ai nuk ndikon në parandalimin e korrupsionit dhe në favorizimin ekonomik të kompanive private. Për këtë projektligj foli edhe ministri i Ministrisë së Financave, Besim Beqaj. Ai dha sqarime rreth fushës të cilën e rregullon projektligji, dhe kërkoi nga deputetët që ta votojnë në parim. Për përmirësimet e nevojshme në projektligj, Beqaj tha se mund të bëhen gjatë shqyrtimit të mëtutjem në komisionet përkatëse, para se projektligji të shqyrtohet në leximin e dytë në mbledhjen plenare. Pas shterimit të debatit lidhur me këtë projektligj, deputetët me shumicë votash e miratuan në parim.

Deputetët në këtë mbledhje shqyrtuan në lexim të dytë edhe Projektligjin për administratën tatimore dhe procedurat, të cilin e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Pas debatit, Kuvendi me shumicë votash miratoi projektligjin.

Po sot, deputetët kanë shqyrtuar edhe dy raporte: Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për lojërat e fatit dhe Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012. Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa e ka paraqitur deputeti, Naser Osmani, i cili pas debatit u miratua me shumicë votash, ndërsa, Raportin e Avokatit të Popullit, e paraqiti Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Duke paraqitur Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit, Kurteshi, fillimisht foli për objektivat e këtij institucioni. Mbrojtja, mbikëqyrja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, janë qëllimi kryesor i këtij institucioni, tha ai. Për sa i përket realizimit të të drejtave të qytetarëve, Avokati i Popullit tërhoqi vëmendjen se ato janë duke u cenuar në vazhdimësi, ndërsa besimi në shtetin ligjor është duke shënuar rënie të vazhdueshme, vlerësoi ai. Duke folur për shkaqet e kësaj situate, Kurteshi tha se ajo është si pasojë e mungesës së ndërgjegjes institucionale. Në fund të fjalës së tij, Avokati i Popullit, Kurteshi, kërkoi që rekomandimet e paraqitura në raport të gjejnë zbatim të plotë nga institucionet përgjegjëse. Lidhur me Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit, ka folur edhe kryeparlamentari, Krasniqi, i cili vlerësoi se ky institucion është: "Institucioni më kredibil në Kosovë". Gjatë debatit rreth këtij Raporti, Kurteshi u është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, e që kishin të bënin me të drejtat e njeriut. Në mungesë kuorumi raporti nuk është hedhur në votim, ndërkaq për pikat e mbetura do të vendosë Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e radhës.

 

Nga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e Kuvendit