Lajmet e fundit

U mbajt ceremonia zyrtare e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit

E Marte, 26.11.2013




Me një ceremoni zyrtare, ka përfunduar sot në Kuvendin e Kosovës Projekti i Binjakëzimit, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa zbatuar nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, tha se ky projekt dyvjeçar kishte për qëllim të mbështesë Kuvendin e Kosovës për të përmbushur sfidat e integrimit në BE, duke shtuar kapacitetet për të ndërtuar një administratë profesionale dhe efektive parlamentare, si dhe për të përmirësuar kapacitetet e Kuvendit të Kosovës në lidhje me përafrimin me BE-në dhe zbatimin e praktikave më të mira të saj.

Kreu i Kuvendit tha se vëmendje e posaçme në këtë projekt, i është kushtuar prioriteteve kryesore të ndërlidhura me kriteret politike, si: avancimi i mbikëqyrjes së ekzekutivit nga ana e Kuvendit, përgjegjësia dhe transparenca brenda Kuvendit, si dhe forcimi i kapacitetit administrativ të Kuvendit.
"Sot, në përmbyllje, me kënaqësi mund të konstatoj se qëllimi i Projektit është arritur pas një pune shumë të madhe që është bërë përgjatë dy viteve sa ka zgjatur ky projekt. Për të arritur ketë sukses, Projekti i Binjakëzimit ka realizuar 76 aktivitete dhe janë angazhuar mbi 70 ekspertë nga administratat parlamentare të disa shteteve anëtare të BE-se, si: Kuvendit Kombëtar Hungarez, Parlamentit estonez, polak, belg, Dhomës se Lordëve - Britanisë se Madhe, Parlamentit të Letonisë dhe atij të Danimarkës", theksoi kryetari Krasniqi, ndërsa shtoi se bazuar në rekomandimet e Projektit të Binjakëzimit, Kuvendi i Kosovës ka arritur të plotësojë dhe ndryshojë Rregulloren për Organizimin dhe Përgjegjësitë e Administratës se Kuvendit dhe Përshkrimin e Punëve dhe Përgjegjësitë, e zyrtarëve të Administratës se Kuvendit, Organogramin e Administratës së Kuvendit dhe Strategjinë e Trajnimeve 2013-2016, për zyrtarët e Administratës së Kuvendit të Kosovës.

Për angazhimin e tyre në këtë proces, kryetari i Kuvendit të Kosovës falënderoi kryetarin e Kuvendit të Hungarisë Laslo Kover dhe Kuvendin Kombëtar të Hungarisë, si zbatues i projektit, Bashkimin Evropian përmes Zyrës së tij në Kosovë dhe udhëheqësit e Projektit nga dy Kuvendet, koordinatoret e projektit dhe gjithë ekspertët dhe stafin e Kuvendit të angazhuar.

Nënkryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, János Latorcai, në adresimin e tij, u shpreh i bindur se Programi i Binjakëzimit do të kontribuojë në forcimin e rolit të Kuvendit të Kosovës në përafrimin ligjor të BE-së. Ai tha se kjo ndihmon aktivitetet e komunikimit e të informimit dhe propozon krijimin e një modeli për funksionimin e parlamentit, të ndarë e të pavarur plotësisht nga qeveria, sa i përket buxhetit, administratës dhe infrastrukturës së Teknologjisë Informative.

"Jam i bindur që të gjitha këto ndryshime dhe reforma strukturale, sa i përket procesit legjislativ, do të japin kontribut të rëndësishëm në përforcimin e kapacitetit institucional të Kuvendit të Kosovës", theksoi nënkryetari i Kuvendit hungarez.
Latorcai foli edhe për lidhjet historike ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ndërkaq, u ndal në disa nga aspektet kryesore të punës gjatë këtij procesi, me ç'rast përmendi miratimin e mundshëm të Ligjit për Kuvendin, së bashku me modifikimin e Rregullores së Punës, ndarjen e miratimit të ligjit në dy seanca të njëpasnjëshme, mbikëqyrjen e procesit të negociatave për Stabilizim-Asoccimin, bashkëpunimin me shoqërinë civile etj.

Zhbogar tha se kjo shënon vetëm fillimin, por, sipas tij, shënon fillim të mbarë. "Viti 2014, sipas të gjitha gjasave, do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare dhe unë do t'ju kisha uruar që të përgatiteni sa më shumë, si nivel të reformave, ashtu edhe në nivel të rekomandimeve të parapara nga ky projekt", theksoi Zhbogar.

U mbajt ceremonia zyrtare e përfundimit të Projektit të BinjakëzimitU mbajt ceremonia zyrtare e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit