Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti delegacionin e Kuvendit të Hungarisë, kryesuar nga nënkryetari János Latorcai

E Marte, 26.11.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin e Kuvendit Nacional të Hungarisë, të kryesuar nga János Latorcai, nënkryetar i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, i cili viziton Kosovën në kuadër të Projektit të Binjakëzimit. Në fjalën e tij János Latorcai, duke u falënderuar për këtë pritje, ia përcolli kryekuvendarit Krasniqi përshëndetjet e kryetarit të Kuvendit Nacional të Hungarisë, Llasllo Kover, si dhe vlerësimet kryeparlamentarit hungarez për miqësinë e krijuar , si dhe partneritetet ndërmjet parlamentarëve të të dy kuvendeve. Në vijim z. János Latorcai vlerësoi se janë arritur rezultate shumë pozitive në bashkëpunimin e ndërsjellë, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim i frytshëm do të avancohet edhe më. Po kështu ai vlerësoi lart edhe ndryshimet pozitive që janë bërë edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Në vijim ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar institucionet e Kosovës edhe në procesin e stabilizim -asocimit."Me partneritet do të arrijmë shumë në të gjithë lëmenjtë, pra edhe në lëmin e bashkëpunimit ekonomik. Kosova do të gëzojë përkrahje në sfidat e saj", tha z.János Latorcai, duke shprehur njëkohësisht kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet institucioneve më të larta të Hungarisë dhe Kosovës. Ndërkaq, duke folur rreth përpjekjeve që bën Kosova për integrim në BE, ai tha se në këtë aspekt , ka mjaft sfida, por ato do të tejkalohen. Vendet e Ballkanit Perëndimor, theksoi ai, janë pjesë e Evropës.

Duke përshëndetur delegacionin , kryekuvendari Krasnisi theksoi:"Kuvendet tona kanë arritur nivel të lartë bashkëpunimi. Kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira, të cilat do t'i avancojmë edhe më. Do të kemi mundësi që ky bashkëpunim të thellohet, sepse janë krijuar kushte

për këtë, si ndërmjet institucioneve përkatëse, ashtu edhe bizneseve. Përvojat që kemi marrë nga Hungaria do të thonë shumë për ne, ato do t' i zbatojmë në praktikë. Për këtë përvojë ne ju falënderojmë", theksoi kreu i legjislativit të vendit Krasniqi. Bëhen përpjekje të pakursyera edhe për realizimin e detyrave që dalin nga Raporti i Progresit. Ndihmë të madhe Kosovës po i jep edhe Sllovenia,theksoi kryekuvendari Krasniqi, nga është edhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Z. Zhbogar vlerësoi lart punën në kuadër të Projektit të Binjakëzmit, sidomos kontributin e ekspertëve nga BE-ja në këtë bashkëpunim.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti delegacionin e Kuvendit të Hungarisë, kryesuar nga nënkryetari János Latorcai