Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion

E Marte, 26.11.2013




Komisioni për Legjislacion, kryesuar nga anëtari i komisionit Armend Zemaj, ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Institutit Gjyqësor të Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, Shërbimit Sprovues të Kosovës, si dhe përfaqësues të EULEX-it.

Fillimisht deputeti Zemaj sqaroi se ky projektligj është përkrahur në parim nga deputetë të Kuvendit në muajin shtator, duke e theksuar faktin se ky projektligj është pjesë e rëndësishme në reformën e sistemit të drejtësisë, ndërkaq shtoi se vendet që kanë këtë projektligj kanë pasur probleme në implementim. Duke përmendur edhe koston e lartë buxhetore për implementimin e këtij ligji, Zemaj tha se çështjet kryesore janë lënë që të nxirren me akte nënligjore nga Ministria e Drejtësisë, duke theksuar se disa çështje tashmë gjatë amendamentimit duhet të precizohen më saktë, në mënyre që të mos ketë hapësirë për interpretim dhe të mos ketë elemente të keqpërdorimit në të ardhmen. Ai tha se duhet të nxjerrim një ligj të zbatueshëm në praktikë.

Ndërkaq, zv/ministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, duke sqaruar se Projektligji përmban 5 kapituj me gjithsej 21 nene, tha se qëllimi primar i këtij Projektligji është rritja e sigurisë publike dhe garantimi i ekzekutimit më efektiv të vendimeve të gjykatës dhe të Panelit për lirim me kusht përmes rregullimit me ligj të përdorimit të mbikëqyrjes elektronike përgjatë procesit të zbatimit të drejtësisë penale. "Projektligji do të zbatohet për mbikëqyrjen elektronike të personave, ndaj të cilëve me vendim të gjykatës janë vendosur masa e premtimit të të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin; ndalimit për t'iu afruar vendit apo personit të caktuar; dhe arrestit shtëpiak dhe dënimet alternative siç janë: me urdhër për trajtim të detyrueshëm rehabilitues dhe dënimi me kusht me urdhër për mbikëqyrje nga Shërbimi Sprovues", tha Xhemajli duke shtuar se në kuadër të projektligjit është paraparë edhe mbikëqyrja e personave ndaj të cilëve është shqiptuar urdhri mbrojtës apo urdhri për mbrojtje emergjente.

Më tej Xhemajli sqaroi se organi përgjegjës për realizimin e mbikëqyrjen elektronike do të jetë Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe se mbikëqyrja elektronike do të zbatohet duke u bazuar në dispozitat e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe do të ketë parasysh shumë parime esenciale siç janë: parimi i ligjshmërisë, mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, garantimit të lirisë personale të të dëmtuarit nga vepra penale, apo të viktimës, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mosdiskriminimi, proporcionaliteti i mbikëqyrjes elektronike me rrethanat e rastit dhe personalitetin e personit si dhe parimi i objektivitetit dhe efektivitetit.

Zv/ministri i Drejtësisë tha se pajisja e cila do t'i vendoset në trup personit nën Mbikëqyrje Elektronike do të jetë e përgatitur sipas të gjitha standardeve të parapara dhe se nuk do ketë asnjë efekt apo imazh negativ në shëndet apo në ambientin social të tij. "Ne kemi qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në ketë pikë duke tentuar që gjithnjë të kemi parasysh të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutën e vendit dhe që në asnjë mënyrë ato të mos cenohen", tha ai. Sipas tij përmes kësaj forme të mbikëqyrjes këta persona do të jenë nën mbikëqyrje të përhershme dhe kjo do të shërbejë që të evitohet çdo shkelje eventuale që do të rrezikonte sigurinë e personit dhe personave tjerë.

Rendësi tjetër e Projektligjit, sipas zv/ministrit Xhemajli është fakti që do të inkurajohet shqiptimi i më shumë masave alternative dhe dënimeve me kusht, në raport me masat e paraburgimit dhe dënimeve me burgim, mirëpo gjithmonë vetëm për rastet kur e parasheh ligji në fuqi.


Ndërkaq, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit duke përgëzuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e këtij projektligji, theksuan se ky është një ligj shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale në Kosovë dhe se për herë të parë në vend po aplikohet masa e mbikëqyrjes elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht dhe se do të mundësohet efikasiteti i zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe të panelit për lirim me kusht.

Ata theksuan se përmes këtij ligji do të mundësohet që sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Kosovës të sigurojë prezencën e të pandehurit në procedurën penale. Sipas tyre me këtë projektligj do të zvogëlohet numri i personave që gjenden në paraburgim dhe se Policia e Kosovës nuk do të ketë mbikëqyrje në arrestin shtëpiak dhe do të kontrollohet çdo lëvizje. Përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit kërkuan nga deputetë të Kuvendit që ta përkrahin këtë projektligj duke kërkuar që të gjenden mjete dhe të fillojë zbatimi i tij siç është paraparë nga janari i vitit 2015.

Ndërsa, Behxhet Shala nga KMDLNJ tha se ky ligj në rastin më të mirë do të mund të ishte funksional në vitin 2020, duke paraqitur kështu një sërë dilemash dhe shqetësime. "Në rast se mbikëqyrja elektronike bëhet me një vendim të gjykatës me një procedurë parapake, nuk e di pse këtu duhet të implikohet paneli për lirim me kusht, aq më parë se dihet shumë mirë se kush duhet të jetë përfitues nga paneli me kusht...", tha Shala duke shtuar mes tjerash se ata të cilët lirohen nga paneli me lirim me kusht vënë në pozicion se u shkelen të drejtat e njeriut, u kufizohet liria e lëvizjes, diskriminohen, etj. Sipas tij duhet bërë një prerje e qartë midis vendimit të gjykatës dhe panelit për lirim me kusht. Ai vlerësoi se ky ligj nuk parandalon veprat penale.

Ndërsa, zv. Avokatja e Popullit, Shqipe Ibraj Mala, tha se ky ligj është i vlefshëm, por sipas saj është paksa i hershëm për të filluar implementimin e tij. Edhe përfaqësues tjerë të pranishëm gjatë diskutimit të tyre u fokusuan në koston buxhetore për implementimin e këtij ligji që sipas tyre duhet të rishikohet mirë. Ndërkaq, anëtari i komisionit Ardian Gjini tha se Komisionit i duhet më shumë kohë për të proceduar me këtë projektligj dhe të merren parasysh propozimet konkrete prej institucioneve relevante, në mënyrë që ky ligj të jetë ligj i zbatueshëm në praktikë.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion