Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Hënë, 25.11.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i Komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), për vitin 2012.

Duke sqaruar se nga rekomandimet e auditorit, dy janë adresuar, ndërkaq tetë sosh janë në proces, kryetari i komisionit, Ali Sadriu, tha se të gjeturat në fushën e prokurimit flasin për një menaxhim jo të kënaqshëm, duke kërkuar sqarime të shumta për çështje të ndryshme nga ministri i MMPH-së, Dardan Gashi dhe përfaqësues tjerë të pranishëm nga kjo ministri dhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

U theksua se raporti është me opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes dhe se e gjetura kryesore në këtë ministri është regjistri i pasurive fikse. Me këtë rast anëtarët e komisionit kërkuan shpjegime nga ministri për procedurat e prokurimit dhe shumë çështje tjera.

Ministri i MMPH-së, Dardan Gashi, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit tha se kjo ministri vazhdon të jetë e fokusuar në riparimin e këtyre të gjeturave nga ZAP-i dhe se raporti në fjalë krahasuar me vitin paraprak është më pozitiv. Edhe përfaqësues tjerë të MMPH-së duke dhënë sqarime lidhur me procedurat e prokurimit vlerësuan se MMPH-ja për secilën kontratë ka respektuar ligjin.

Pas shqyrtimit të këtij raporti, Komisioni me shumicë votash vendosi që raporti të mos procedohet për shqyrtim në seancë plenare.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike