Lajmet e fundit
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, merr pjesë në Konferencën e tetë të COSAP-it në Shkup
E Hënë, 25.11.2013
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri, merr pjesë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore -COSAP, e cila po mbahet në Shkup të Maqedonisë.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, z. Lutfi Haziri, ka parashtruar kërkesën formale tek nikoqiri i kësaj Konference, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, për anëtarësimin e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore -COSAP, e cila është duke u shqyrtuar sipas agjendës.
Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme të kryetarit dhe anëtarëve tjerë të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për anëtarësim të këtij Komisioni në këtë Konferencë (COSAP), Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë anëtar me të drejta të barabarta në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore -COSAP.
Në këtë konferencë diskutohet për proceset integruese të vendeve aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si: roli i parlamenteve nacionale dhe të komisioneve parlamentare për çështje evropiane për shfrytëzim më të mirë të instrumenteve të para anëtarësimit, të njohura si IPA II, liberalizimi i vizave, si dhe funksionim i Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore ( CEFTA).
Po ashtu, z. Lutfi Haziri, ka zhvilluar takime me zëvendëskryetaren e Kuvendit te Maqedonisë, znj. Svetlana Jakimovska, kryesuesin e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Maqedonisë, z. Hajrula Misini, zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Fatmir Besimi, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, z. Zemri Qamili dhe me anëtarë të delegacioneve tjera pjesëmarrëse në këtë Konferencë.