Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Premte, 22.11.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës gjatë zgjedhjeve lokale 2013, me theks të veçantë raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht Policisë së Kosovës lidhur me këto zhvillime.

Me këtë rast anëtarët e komisionit vlerësuan se raporti nuk është gjithëpërfshirës, por është sipërfaqësor, duke shprehur sërish shqetësimet e tyre lidhur me ndërhyrjet që u bënë gjatë procesit zgjedhor, në vendet ku qytetarët janë penguar të votojnë lirshëm, me theks të veçantë në veri të vendit.

Sipas anëtarit të komisionit, Goran Marinkoviç, zhvillime të tilla gjatë procesit zgjedhor janë shënuar edhe në Graçanicë dhe se qytetarët në këtë pjesë nuk e kanë ushtruar lirshëm të drejtën e tyre të votës, duke drejtuar kritika edhe për Policinë e Kosovës, si dhe konstatuar se grupe të caktuara nga institucionet e Serbisë kanë kërcënuar qytetarët.

Anëtarët e Komisionit pasi shfaqën kritika lidhur me informatën e PK-së për këto zhvillime për faktin se është sjellë me vonesë në komision, sqaruan se vlerësimi i përgjithshëm i situatës së sigurisë në nivel vendi, sipas PK-së ka qenë mesatar.

U theksua se është dashur që të ndërmerren të gjitha masat nga mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që të mos lejohet të prishet rendi dhe qetësia.

Mes tjerash u tha se Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë dështuar me parandalimin e veprimeve të organizuara nga grupet kriminale në veri dhe se komisioni nuk ka ndonjë informatë lidhur me veprimet e ndërmarra nga organet gjegjëse për ndjekjen e atyre që kanë penguar procesin zgjedhor.

Me këtë rast Komisioni kërkoi sërish informatë nga MPB-ja që të informohen lidhur me veprimet paraprake të zgjedhjeve të 1 dhjetorit, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të votojnë lirshëm. Po ashtu, ata kërkuan nga IPK-ja që të informojë komisionin rreth procedurave ndaj shkeljeve të caktuara gjatë këtij procesi, si dhe të merren me hetimin e rasteve të implikimit të zyrtarëve të Policisë së Kosovës në rastet kur ata kanë qenë në favorizim të ndonjë subjekti politik.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së