Lajmet e fundit

GGD-ja kërkon që 50% e drejtorateve të udhëhiqen nga gratë

E Premte, 22.11.2013




Sot, Grupi i Grave Deputete priti në takim gratë nga asambletë komunale të: Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Graçanicës,Shtimes dhe Lipjanit, takim që u organizua në bashkëpunim me OSBE-në . Fillimisht kryetarja e GGD znj. Teuta Sahatqija tha: "Ne jemi duke punuar me gratë e të gjitha komunave dhe dominon fakti se në të gjitha komunat pozita e gruas është shumë e pafavorshme. Mjafton t' i numërojmë, vazhdoi Sahatqija, se sa ka kryetare partie, sa ka kryetare dege, sa ka kryetare nëndege. Në të gjitha rastet, është ose zero ose afër zeros".


Kurse deputetja Albulena Haxhiu theksoi se pozita e gruas ka përparuar aty ku është inkorporuar kuota,ndaj duhet të punohet akoma edhe në realizimin e të drejtës së trashëgimisë, në buxhetimin gjinor etj.


Suzan Novobërdali tha se Komisioni për DNJBGJPP ka monitoruar Ligjin për Barazinë gjinore dhe pozita e gruas është shqetësuese, prandaj është rekomanduar që të sigurohet përfaqësimi i gruas në pozita vendimmarrëse në shkallën 50%.


Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësueset e komunave. Në fund u vendos që të kërkohet që me rastin e formimit të qeverive lokale 50% e drejtorateve të udhëhiqen nga gratë, ose në të kundërtën, gratë nuk do të aprovojnë qeveritë që nuk e përfillin këtë kërkesë. Po kështu,komisionet dhe trupat që do të krijohen me rastin e inaugurimit të asambleve të sigurojnë përfshirjen e gruas.

 

GGD-ja  kërkon që 50% e drejtorateve të udhëhiqen nga gratë