Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik,Infrastrukturë, Tregti dhe Industri
E Premte, 22.11.2013
Raportimi i ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, z. Fadil Ismajli, lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike,ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik,Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Duke njoftuar anëtarët e Komisionit lidhur me zbatimin e këtij Ligji, z. Fadil Ismajli theksoi se në pjesën më të madhe Ligji për Ndërmarrjet Publike po gjen zbatim në praktikë. Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe disa akte përkatëse nënligjore, ndërsa ka formuar njëkohësisht edhe Komisionin për ndërmarrjet publike, si dhe ka aprovuar disa akte nënligjore dhe draft rregullore. Në vijim ai foli edhe rreth çështjes së zgjedhjes së organeve nga ana e ndërmarrjeve publike, siç janë drejtorët, bordet, ndërsa në fushën ligjore ato kanë miratuar statutet e tyre, si dhe Kodin. Ndërmarrjet publike bëjnë edhe raportet e rregullta periodike të veprimtarisë së tyre, që i dedikohen Qeverisë së Kosovës.
Z. Fadil Ismajli njoftoi të pranishmit edhe me faktin se është duke u planifikuar ndryshimi i Ligjit për ndërmarrjet publike për të mundësuar një mbikëqyrje më të madhe të tyre, e që do të mundësojë edhe një përformancë në dobi të shërbimeve më cilësore për qytetarët. Kjo do të mundësojë përcaktim më të mirë të kompetencave, të kritereve të zgjedhjes së menaxhmentit sa më të mirë , si nga ana menaxheriale, ashtu edhe nga ana etike. Në përmbyllje të fjalës së tij ai tha se ka mund të bëhet më shumë në funksionalizimin dhe performancën e përgjithshme të ndërmarrjeve publike.
Në vijim anëtarët e Komisionit shtruan disa pyetje, që kishin të bëjnë me atë sa a përcakton Ligji ashtu si duhet nocionin se çka janë ndërmarrjet publike, a ka nevojë për plotësime të Ligjit në aspektin e dinamizimit të themelimit të ndërmarrjeve të reja publike etj. Përkitazi me këto z. Ismajli tha se vetë fakti që po kërkohet ndryshimi i Ligjit, tregon se edhe elementi i dinamizmit do të gjejë vend në këtë Ligj. Kërkesa për plotësim-ndryshimet e ligjit nga ndonjë deputet shihej edhe si një mundësi e evitimit të zgjedhjeve politike të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Përkitazi me këtë çështje, z. Ismajli tha se kriteret në konkurse kanë qenë mjaft të përpikta e në pajtim me Ligjin.
Duke folur për çështjen e auditimit, z. Ismajli tha se auditivi është mjaft funksional, disa ndërmarrje madje kanë edhe ekipe auditorësh, por në disa raste kontraktohen edhe auditorë të jashtëm.
Komisioni në vijim shqyrtoi dhe përkrahu Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2012.