Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 21.11.2013
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbledhjen e sotme plenare e filluan me një minutë heshtje për humbjen tragjike të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi. Me këtë rast edhe shefat e grupeve parlamentare po ashtu shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen tragjike të deputetit Olldashi.
Pas pikave të rëndomta deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët në lexim të parë shqyrtuan Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2014.
Me këtë rast ministri i Financave Besim Beqaj duke paraqitur propozimin për aprovimin e Buxhetit për vitin 2014, tha se propozim-buxheti është përgatitur në pajtim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se kanë arritur që të pajtohen lidhur me të gjitha kategoritë e të hyrave dhe shpenzimeve. Ai tha se konform obligimeve të Republikës së Kosovës në raport me marrëveshjen Stand-By të FMN-së, kanë arritur të përmbushin të gjitha kriteret e përformancës dhe ato strukturore. "Më lejoni t'iu informoj se tani jemi në fazën finale të rishikimit të këtij programi, i cili ka përfunduar javën e kaluar dhe konsiderojmë se Kosova do të përmbyllë me sukses këtë relacion me FMN-në. Si rezultat i implementimit me sukses të këtij programi, Kosova ka marrë një pjesë të konsiderueshme të mjeteve prej mbi 94 milion euro nga FMN-ja", tha ministri Beqaj, duke shtuar se përgatitja e këtij propozim-buxheti nuk do të duhet të shihet si një buxhet i shkëputur vjetor, por më shumë si një buxhet me efekte afat-gjatë dhe i integruar në Kornizën afatmesme ekonomike dhe fiskale të Qeverisë.
Ai theksoi se edhe në vitin 2014 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës do të vazhdojë me ritmet e saj pozitive të rritjes, ndërkaq sqaroi se eksportet totale në vitin 2014 pritet të kenë një rritje prej rreth 7 për qind, ndërsa eksportet e mallrave rreth 10 për qind.
"Për vitin 2014, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 458 milion euro, (apo një rritje prej rreth 2.5 për qind, krahasuar me vitin 2013). Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten me rreth 7 për qind, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me rreth 22 për qind. Kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit ", tha ministri Beqaj duke sqaruar më tej se rritje planifikohet të ketë edhe tek të hyrat tjera buxhetore, duke përfshirë të hyrat jo-tatimore (8.5%) dhe të hyrat vetanake të komunave (6.7%), ndërsa tha se është planifikuar një rënie në të hyrat vetanake të nivelit qendror (-31%), që reflekton pritjet për të hyra të njëhershme në këtë vit, e që nuk do të kemi të njëjtën vitin e ardhshëm.
Tutje, Beqaj duke paraqitur propozimin e buxhetit për shpenzimet të cilat do të realizohen në vitin e ardhshëm, tha se shpenzimet totale për vitin 2014 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliard e 590 milion euro, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2013. Ai sqaroi se buxheti për paga dhe meditje pritet të ketë një rritje të konsiderueshme nga 435 milion euro në vitin 2013, në 483. 4 milion euro në vitin 2014. "Ky buxhet reflekton zotimin e Qeverisë për rritje të pagave të të gjithë shërbyesve civil, duke marrë parasysh përfomancën dhe efektivitetin e punës së tyre", tha ministri i Financave, duke paraqitur edhe shumën e rritjes së planifikuar edhe në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, që sipas tij është planifikuar që të rritet nga 299 në 316 milion euro (një rritje prej 5.7 për qind). Kjo rritje shkon për përkrahjen e rritjes natyrale të skemave ekzistuese, skemave të reja sociale (ish të ndjekurit politik dhe skema për veteranët e luftës).
Sa i përket shpenzimeve kapitale, ministri Beqaj, tha se ato pritet të jenë në vlerë prej 531 milion euro, ndërkaq shtoi se do të vazhdojnë me investime në të gjitha fushat me prioritet dhe se do të vazhdohet me investime në infrastrukturën rrugore.
Ky buxhet sipas ministrit Beqaj parasheh financimin e reformave të Qeverisë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, administratës publike, sigurisë, bujqësisë, ambientit, etj. Në këtë drejtim ai njoftoi deputetët më konkretisht rreth buxhetit të planifikuar sipas sektorëve me prioritet dhe tha se ky propozim-buxhet, parasheh edhe financimin e projekteve sipas prioriteteve të të gjitha komunave.
Më tej, ministri Beqaj tha se projekti i Qeverisë që ka filluar në janar të vitit 2012 për emetimin e letrave me vlerë, deri tani ka qenë shumë i suksesshëm, ndërkaq shtoi se presin që edhe vitin e ardhshëm të vazhdojnë me emetimin e këtyre instrumenteve dhe se kjo sipas tij reflekton stabilitetin e sektorit financiar e bankar, si dhe sigurinë dhe perceptimin pozitiv të investitorëve për vendin tonë.
"Ky buxhet i prezantuar para jush është në linjë të plotë me objektivat e qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri e stabilitet makro-fiskal. Besojmë se me këtë propozim kemi arritur që t'i financojmë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike. Në mungesë të Politikës Monetare, propozim Buxheti të cilin po e prezantoj sot për miratim, është dokumenti kryesor i zhvillimit të politikave ekonomike të vendit, i cili si i tillë do të sigurojë vazhdimin e rritjes ekonomike dhe rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies dhe standardit të qytetarëve tonë.", tha ministri i Financave, Besim Beqaj, duke ftuar deputetët për aprovim të ligjit.
Në vijim deputetja Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit për Buxhet dhe Financa, sqaroi se ky komision e ka shqyrtuar projektligjin dhe ka vlerësuar se ky projektligj është i përgatitur teknikisht mirë dhe përfshin të gjitha të dhënat që parasheh Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Ajo tha se në këtë draft-dokument vërehet se qeveria ka respektuar parimet kryesore që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë fiskale dhe se ka arritur të ruajë trendin e investimeve kapitale, si dhe të ruajë nivelin e ulët të borxhit publik. Pasi theksoi se ky buxhet është i harmonizuar sipas marrëveshjes me FMN-në, Hadërgjonaj tha se Komisioni për Buxhet dhe Financa me shumicë votash ka përkrahur Projektligjin për Buxhet dhe ka rekomanduar për miratim.
Deputetja Hasime Krasniqi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon me realizimin e projekteve madhore në interes të vendit, duke përmendur me këtë rast edhe ndërtimin e autostradave, e po ashtu investimet në sektorë të ndryshëm: atë të arsimit, sportit, shëndetësisë, etj, që ndikojnë në përmirësimin e kushteve për qytetarët e Kosovës. Pasi përmendi edhe shpenzimet për paga dhe meditje, si dhe ngritjen e pagave në sektorin publik tha se qeveria me politikat e saj vazhdon ta ruajë qëndrueshmërinë makrofiskale. Ndërkaq, sqaroi se ky grup parlamentar do të votojë pro këtij projektligji.
Deputeti Naser Osmani duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, fillimisht kritikoi mosprezencën e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar gjatë shqyrtimit të buxhetit të shtetit, ndërsa duke folur për këtë projektligj tha se qeveria vazhdon të sjellë ekonominë e Kosovës në depresion, duke përmendur kështu rritjen e papunësisë. Më tej ai përmendi edhe zvogëlimin e shpenzimeve kapitale duke theksuar faktin se LDK-ja nuk mund ta mbështesë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2014, meqë sipas tij nuk ka investime të mjaftueshme e të domosdoshme në shëndetësi, bujqësi etj, si dhe nuk do të ketë rritje të pensioneve.
"LDK nuk mund ta mbështesë këtë buxhet nga shkaku se nuk është bërë shpërndarje proporcionale kapitale. Nuk i jepet prioritet investimeve në arsim për funksionalizimin dhe ngritjen e cilësisë. Nuk ka investime të mjaftueshme dhe të domosdoshme në shëndetësi. Bujqësia nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm. Nuk do të ketë rritje të pensioneve. Në balancin bankar janë futur mjetet nga shitja e PTK-së pa bazë ligjore për privatizimin", tha Osmani.
Ndërsa, Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se edhe në buxhetin për vitin 2014 paraqiten shumë probleme që barten nga viti në vit. "Pavarësisht zhvillimeve ekonomike që ndodhin qeveria buxheton në mënyrën e njëjtë, me logjikë të njëjtë, e kjo po e dëmton potencialin e Kosovës.
Nuk do ta votojmë buxhetin për shkak të shumë vërejtjeve që do t'i kemi. Përveç se është buxhet që e pamundëson zhvillimin ekonomik që bazohet vetëm në ata sektor të cilët po prodhojnë alokim të resurseve, parave tona, në projektet që kanë zero përfitime ekonomike.", tha Ymeri, duke shtuar se është edhe buxhet i cili vazhdon të këtë ndarje të parasë publike përmes fondit të veriut. Ndërsa, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sqaroi para deputetëve se AAK-ja nuk do ta votojë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2014. Ai fillimisht përmendi faktin se shifrat në tabela nuk përputhen dhe se të hyrat rriten për 2.5 për qind, ndërsa inflacioni parashihet 2.8 për qind.
"Është paraparë një shumë e rritjes së pagave dhe kjo për ne është në rregull, mirëpo është paraparë po ashtu edhe shtimi i numrit të të punësuarve, që do të thotë ajo rritje e shumës totale për paga në këtë buxhet, nuk reflekton drejtpërdrejt për të punësuarit aktualisht. Kemi 7 milionë euro shpenzime kapitale të pa specifikuara dhe kjo bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Nuk mund të ketë shpenzim kapital të paparashikuar', tha Gjini. Më tej foli edhe Myzejene Selmani, shefe e grupit parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, si dhe Jelena Bontiç, në emër të grupit parlamentar të SLS-së, Duda Balje, 6+, Goran Marinkoviç, Ardhmëria e Përbashkët, të cilët theksuan se do ta mbështesin këtë projektligj.
Shumë nga deputetë gjatë diskutimit të tyre vlerësuan pozitivisht buxhetin duke e vlerësuar si buxhet të zhvillimit ekonomik, ndërsa deputetët opozitarë duke shprehur qëndrimet e tyre kundër aprovimit të buxhetit dhe duke paraqitur disa nga shqetësimet e tyre përmendën faktin se është zvogëluar buxheti për investimet kapitale. U theksua se ky nuk është buxhet i zhvillimit ekonomik dhe se ka planifikim të fondeve jo të mjaftueshme duke veçuar disa sektorë. Po ashtu, kritika nga deputetët opozitarë pati edhe për shpërndarjen e buxhetit për vitin 2014, duke deklaruar se komunat janë lënë pas dore.
Në vijim të mbledhjes plenare, fjalën e mori edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili theksoi se ky buxhet nuk mund të jetë buxhet zhvillimor, por buxhet i konsumit, ndërsa ministrit Beqaj iu drejtua me disa pyetje. Me këtë rast ai kërkoi sqarime nga ministri i Financave nëse qeveria apo kjo ministri kanë ndonjë studim të planifikuar për rritjen e buxhetit të Kosovës në vitet e ardhshme dhe nëse ATK-ja ka kapacitete që të mbledhë më shumë tatime. Me këtë rast ai kërkoi sqarime rreth shumës që do të mund të hynte në buxhetin e vendit, sikur mos të kishte ekonomi informale, si dhe nëse do të kishte një kontroll më të mirë në kufijtë e vendit nga doganat e Kosovës.
"Me qëllim të planifikimit, ndërtimit, administrimit dhe menaxhimit të Komplekseve Memoriale, Kuvendi i Kosovës më 19.03.2013 ka aprovuar Ligjin për Agjensinë për menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Kuvendi i Kosovës në përputhshmëri të nenit 6 të këtij ligji, më 12. 07. 2013 ka zgjedhur drejtorin e Agjensisë. Komisioni për Buxhet dhe Financa me rishikimet e buxhetit për vitin 2013 në përputhshmëri të nenit 6 të këtij ligji për Agjensinë i ka ndarë për: paga dhe meditje 13.000 euro; mallra e shërbime 10.000 euro, ndërsa për projekte kapitale 750.000 euro, destinuar për memorialin "Adem Jashari".
Fillimisht nga dëgjimet buxhetore për vitin 2014, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor të gjitha projektet e komplekseve memoriale, ashtu siç janë të dhëna në shtojcën 1 të ligjit, i ka bartur në Agjensinë për menaxhimin e Komplekseve memoriale të Kosovës. Buxheti i paraparë për të gjitha këto projekte ishte 2. 950.00 euro, për mirëmbajtje të komplekseve 75.000 euro, paga dhe meditje 63.000 euro, mallra dhe shërbime 50.000 euro dhe shërbimet komunale 10.000 euro.
Menjëherë pas kësaj me intervenimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, të gjitha projektet janë kthyer në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përveç projektit të Prekazit, me arsyetimin se kanë punë të kontraktuar edhe për vitin e ardhshëm. Këto pretendime nuk qëndrojnë ngase kontratë të tillë kanë vetëm për projektin e Krushës dhe të Zahir Pajazitit.
Lidhur me këtë propozoj që Komisioni për Buxhet dhe Financa gjatë shqyrtimit dhe amandamentimit të këtij ligji, t'i përfshijë dakordimet buxhetore të aprovuara sipas aneksit 1- qarkorja e tretë buxhetore, kufijtë final për buxhetin e vitit 2014 dhe vlerësimet për vitin 2015-2016 dhe Agjensionet t'i mundësohet menaxhimi me projektet e cituara më lartë dhe t'i kthehet funksionimi normal në bazë të përgjegjësive ligjore që i ka", tha Krasniqi duke folur më tej për çështjen e komunës së Drenasit. Me këtë rast ai tha se në Drenas nuk ka asnjë rrugë që mund të quhet rrugë e kualitetit dhe se është komuna më e prapambetur në Kosovë.
Në vazhdim fjalën e mori edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Duke e konsideruar buxhetin si më të mirë që ka pasur Kosova, ai tha se kjo i hap perspektivë më të mirë shtetit tonë dhe shoqërisë tonë.
"Do të vazhdojmë me rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, integrimet evropiane, shëndetësinë dhe rritjen e mirëqenies sociale. Kemi dëshmuar se kemi vullnet dhe përgjegjësi për investime. Do të vazhdojmë me përgjegjësi më të lartë që në kuadër të mundësive dhe kapaciteteve që kemi si qeveri të vazhdojmë me investime në gjithë sektorët", tha kryeministri Thaçi.
Pas diskutimit të deputetëve Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2014.
Më tej u miratua edhe Projektligji për fshatin Zym i Hasit, si dhe Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave.
Deputetët po ashtu përkrahën edhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2014,