Lajmet e fundit
Takim i udhëheqjes së GDD-ës me aktivistet e Graqanicës
E Enjte, 21.11.2013
Në vazhdën e takimeve me gratë aktiviste nga komunat, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija bashkë me deputeten Biserka Kostiq kishin një takim me gratë aktiviste në Komunën e Graqanicës.
Me këtë rast, kryetarja Sahatqija i njoftoi të pranishmet me punën e GGD-ës në përkrahjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje. "Duke qenë të bindura se degët, nëndegët dhe aktivet e partive janë burimi i demokracisë po bëjmë përpjekje dhe po inkurajojmë fuqizimin e grave në politikë. Jam e sigurt që angazhimi ynë bashkë me ju do të bëjë që në zgjedhjet e ardhshme ndoshta do të kemi më shumë kandidate që konkurrojnë dhe shpresoj edhe të zgjedhen kryetare komunash. Prandaj edhe GGD-ja do të bashkëpunojë me gratë anekënd Kosovës për të mirën e gruas, vendit dhe demokracisë" ,theksoi znj. Sahatqija. Ndërkaq, deputetja Biserka Kostiq foli për rëndësinë e bashkëpunimit parlament-asamble me qëllim të koordinimit të aktiviteteve për ta fuqizuar rolin e gruas.
Duke i falënderuar deputetet për këtë takim shumë të dobishëm,asambleistja nga Komuna e Gracanicës, znj. Jelena Maksimoviq tha se gëzon fakti se gratë parlamentare janë kompakte për interesin e gruas. Ajo pohoi se ndjek punën e GGD-ës, veçanërisht angazhimin për blerjen e mamografit mobil, duke shprehur dëshirën që këto pajisje të funksionojnë edhe në Graqanicë. Znj. Sahtqija dhe znj. Kostiq i siguruan aktivistet se do të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin, dhe se mamografi mobil, do të jetë në çdo vendbanim të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësin etnike.