Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 20.11.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi sot disa projektligje dhe raporte.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës Magjistrale Milloshevë-Mitrovicë M2, e lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), të cilën e prezantoi ministri i Financave, Besim Beqaj. Komisioni përkrahu marrëveshjen dhe i rekomandoi Kuvendit ratifikimin e saj.
Në vazhdim, komisioni përkrahu në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për investimet e huaja, me amendamente të komisionit funksional, me vlerësimin se ai nuk përmban implikime buxhetore.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ndërkaq, prezantoi raportin vjetor financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012. Gjatë diskutimeve, anëtarë të komisionit dhanë vërejtje për vonesën e raportit dhe përkitazi me lëvizje në kategori buxhetore, në krahasim me buxhetin e planifikuar. Avokati Kurteshi, ndërkaq, dha sqarimet përkatëse në çështjet e ngritura.
Komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij. Komisioni i rekomandoi, gjithashtu, Institucionit të Avokatit të Popullit që të forcojë kapacitetet planifikuese të buxhetit, ndërsa Auditorit të Përgjithshëm, t'i bëjë këtij institucioni një auditim të performancës.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2013, të cilin e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Në fjalën e tij, sekretari Krasniqi theksoi se raporti përmban të gjitha komponentët e nevojshme që pasqyrojnë transparencën e punës së Kuvendit dhe prezantoi me shifra konkrete shpenzimet gjatë kësaj periudhe nëntëmujore.
Raporti i Kuvendit u vlerësua pozitivisht dhe si i tillë, u përkrah nga komisioni.
U miratua, gjithashtu, edhe raporti me rekomandime i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për lojërat e fatit, i cili, njëherësh iu rekomandua seancës plenare që ta miratojë atë.