Lajmet e fundit

Ministri Hoxhaj raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme

E Mërkure, 20.11.2013




Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me politikën e jashtme të Kosovës, për aktivitetet e ministrisë të cilën e udhëheq, si dhe për çështje buxhetore me të cilat mbulohen aktivitetet e planifikuara për sendërtimin e politikës së vendit tonë me jashtë.

Vitin 2013 Hoxhaj e ka vlerësuar shumë të suksesshëm në planin e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, të cilin e ka lidhur me tetë njohje të reja dhe me dialogun me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel."Brenda vitit na kanë njohur tetë shtete, kemi lidhur 140 marrëveshje bilaterale dhe 10 të tjera multilaterale, jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim, ndërkaq kemi përpunuar planet e veprimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në dy organizata të OKB-së", ka theksuar Hoxhaj. Ai më këtë rast ka pohuar se ka vizituar 24 vende të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë edhe pesë vendet e BE-së, si dhe ka pasur takime me përfaqësues të 150 shteteve të tilla gjatë zhvillimeve të tubimeve të ndryshme ndërkombëtare.

Ndër sukseset e politikës së jashtme ai e ka vlerësuar fillimin e negociatave për procesin e Stabilizim-asocimit. Ministri ka pohuar se ka përpiluar planin strategjik të veprimit për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e vendit tonë në këtë këshill, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ai ka përmendur, ndërkaq edhe vështirësitë të cilat e presin Kosovën për anëtarësim në shumë mekanizma ndërkombëtarë, për shkak të konjukturave politike e gjeostrategjike të vendeve e të rajoneve të caktuara. Duke veçuar, më këtë rast, agjendën evropiane të Kosovës, Hoxhaj ka shprehur bindjen e tij se Kosova ka gjasa të realizojë më shpejt anëtarësimin në NATO, që do të çelte rrugën edhe për anëtarësime në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai ka folur edhe për projektet për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale, por ka theksuar se Serbia, duke e shkelur marrëveshjen për anëtarësim në këto nisma, po angazhohet hapur për pengimin Kosovës. Prandaj ai e ka quajtur shumë të rëndësishme anëtarësimin e njëhershëm të Kosovës dhe të Serbisë në BE, në mënyrë që të pamundësoheshin destruksionet e pritshme të Beogradit për ta penguar Kosovën në agjendën e saj evropiane. Ministri tutje ka folur për organizimin e Shërbimit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, duke përmendur hapjen tashmë të ambasadës të Australi dhe planet për hapjen e ambasadave e në Egjipt dhe Panama, si dhe të konsullatave në Gjenevë, në Strazburg dhe në Stamboll.

Ministri është shprehur i kënaqur me buxhetin prej 18 milionë euro për funksionimin e MPJ-së gjatë këtij viti, si dhe për shtimin e buxheti për dy milionë euro të tjera për vitin e ardhshëm, duke u shprehur i kënaqur me pagat e ambasadorëve dhe diplomatëve të tjerë të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, por edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Skender Hyseni, Donika Kadaj-Bujupi dhe Sabri Hamiti, i kanë shtruar pyetje të shumta ministrit të Jashtëm për organizimin dhe funksionimin e ministrisë , të cilën e udhëheq, për politikat e jashtme jo shumë të qarta të Kosovës, për dialogun me Serbinë, si dhe për shkeljet e shumta ligjore në ministri dhe në Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Kosovës.

Ndonjëri nga anëtarët e Komisionit ka shprehur mospajtime me bindjen e ministrit se 5-shja e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk është unike në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe se tashmë ka vdekur Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Ata i kanë shprehur brengosjen ministrit për faktin që qëndrimi i këtyre pesë vendeve ka qenë faktori kyç për neutralitetin e BE-së për statusin e Kosovës. Ndërkaq, janë shprehur se Rezoluta 1244 doemos duhet të zëvendësohet me një tjetër, por janë shprehur skeptik se kjo mund të realizohet me angazhimet aktuale të bartësve të politikës së jashtme të Kosovës dhe me këtë konfiguracion forcash në arenën ndërkombëtare. Ata janë angazhuar që të hiqet fusnota për Kosovën, e në radhë të parë të abolohet përmendja e Rezolutës 1244 në emrin e Kosovës në takime rajonale. Anëtarët e Komisionit kanë shprehur brengosje edhe për mënyrën e punësimit të stafit të MPJ-së dhe të diplomatëve tanë në vende të ndryshme të botës, për shkeljen e ligjit, për abuzimet , si dhe për incidentet e shpeshta të diplomatëve tanë , që po e prishin imazhin e qytetarëve të atyre shteteve për Kosovën.

Duke u përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të shtruara, ministri Hoxhaj është zotuar se anëtarëve të Komisionit do t'u sjellë raporte të detajuara për të gjitha çështjet e shtruara në këtë takim.

 

Ministri Hoxhaj raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme