Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, nr. 03/ L -212,sidomos në aspektin gjinor

E Mërkure, 20.11.2013




Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Kosovës organizoi sot një dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës nr. 03/ L -212,sidomos në aspektin gjinor dhe efektet e tij. Qëllimi i mbikëqyrjes së këtij ligji kishte të bëjë me vlerësimin lidhur me zbatimin e ligjit nga mekanizmat zbatues: inspektorati, zyrat për punësim etj.,vlerësimi i akteve nënligjore që e bëjnë ligjin e zbatueshëm,pastaj i nivelit të zbatimit të nenit 49 për shfrytëzimin e pushimit të lehonisë dhe efektet e tij,efekteve të cilat paraqesin pengesa apo e dëmtojnë interesin shoqërisë, gruas, (punësimin, shëndetin dhe vetë familjen); shqyrtimi i alternativave të mundshme më të favorshme, marrjen e opinionit të mekanizmave implementues të ligjit: sektorit publik, sektorit privat, organizatave të ndryshme, grave dhe burrave lidhur me ligjin, qoftë sa i përket zgjidhjeve që bëhen sipas perspektivës së tyre apo mangësitë etj.

Me këtë rast u theksua se për këtë qëllim gjatë muajit shtator, tetor dhe nëntor janë realizuar shumë vizita dhe takime me: Inspektoratin e punës, Departamentin e punës dhe punësimit, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Amerikane në Kosovë, Exklusive Grup(Maxi), RTV-21, intervista me gra të punësuara nëpër qendra tregtare, institucione publike, shitore etj.

Në fjalën hyrëse, duke folur për përmbajtjen e Ligjit, Sebahate Grajçevci, tha se Ligji i Punës i punës trajton çështjet që kanë të bëjnë më themelimin e marrëdhënies së punës, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, pastaj për përgjegjësitë dhe të drejtat e punëdhënësit dhe të punësuarit, raportet në mes tyre; trajtimin me shanse të barabarta e pa diskriminim, kontratat, orarin e punës,mbrojtjen në punë, pagat dhe benificionet, të drejtat për shfrytëzimin e pushimit ditor, javor, vjetor, mjekësor, të pushimit të lehonisë dhe atë prindor. Ky ligj trajton edhe çështjet lidhur ndërprerjen e marrëdhënies së punës, mekanizmat implementues si dhe dispozitat ndëshkimore.

Barazia gjinore në masë të konsiderueshme garantohet që nga themelimi i marrëdhënies së punës , ashtu si dhe mbrojtja në punë, shfrytëzimi i pushimit të lehonisë dhe kompensimit etj.

Sipas Agjencionit të statistikave dhe të dhënave nga hulumtimet e UNDP-ës del se në procesin e punës janë vetëm 20% gra, kundruall burrave në shkallën 80%. Shkalla e punësimit të grave në disa komuna është një shifrore, ndërsa vetëm Prishtina ka nivel më të lartë të punësuarve 57% burra dhe 29% gra.

Meqë nuk ka shumë kohë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji,ai ende nuk ka arritur sa duhet të zbatohet dhe veçanërisht të vlerësohen sa duhet efektet e tij, theksoi znj. Grajçevci, e cila në vijim foli edhe për çështjen e respektimit, ose mosrespektimit të dispozitave rreth pushimit të lehonisë, të vështirësive që kanë femrat në këtë aspekt etj.

Në vijim u dhanë edhe disa rekomandime , si:mos të bëhet akoma ndryshimi i Ligjit të Punës sidomos para vitit 2015, gjatë draftimit të ligjit të marrin pjesë përfaqësueset e interesave të grave dhe bizneset, bizneset dhe Qeveria duhet të marrin përgjegjësi të barabartë për natalitetin në Kosovë, të krijohet fondi për sigurime shëndetësore dhe nga ky fond të kompensohet pushimi i lehonisë, të thjeshtësohen procedurat administrative (shumë të komplikuara) për të shfrytëzuar të drejtën e pushimit të lehonisë, të shikohet(inkurajohet) që në tremujorin e tretë të marrë pushimin prindor edhe babai etj.

Znj. Teuta Sahatqija theksoi se Ligji i punës ka ndikim të madh në shoqëri, ndërsa kur është fjala për pushimin e lehonisë barrën për natalitet duhet ta marrë shoqëria, ndërsa duhet inkurajuar zhvillimin e ekonomik të vendit, duke ruajtur interesin e gruas.

Znj. Flor Brovina foli për rëndësinë e krijimit të fondit të sigurimeve sociale . Në diskutim morën pjesë edhe deputetet Donika Kadaj, Albulena Haxhiu, Suzan Novobërdali, Time Kadriu etj. Gjithashtu, lidhur me këtë çështje folën edhe Haxhi Arifi, Lumnie Hashani, Luljeta Vuniqi, Alush Sejdiu, Sani Berisah etj.

 

 

Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, nr. 03/ L -212,sidomos në aspektin gjinor